Studimi për dhënien e ideve mbi autobuzëve elektrike pritet të kushtojë 74 milionë lekë. Tashmë Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka hapur këtë tender duke u shprehur se synon tërheqjen e konsulentëve.
Pavarësisht vështirësive ekonomike nga pandemia, Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka menduar të shpenzojë 74 milionë lekë të reja për një projekt lidhur me dhënien e ideve.
Përmes tij synohet tërheqja e konsulentëve që do të japin ide mbi studimin e fizibilitetit, si dhe testimin e teknologjive të reja të linjave elektrike të autobuzëve me qëllim identifikimin e sistemit më të përshtashëm për zonat urbane të Tiranës dhe ato interurbane, Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Vlorë.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve publike kërkohen dhe ide për vendosjen e pikave më të përshtatshme të karikimit, duke marrë në konsideratë itinerarin e ndjekur si dhe llojin e karikimit.
Autortiteti kontraktor argumenton se implementimi i autobusëve elektrikë ka si qëllim uljen e ndotjes atmosferike nga gazërat.
Ndër të tjera kërkohet dhe ngritja e kapaciteteve dhe trajnimeve të ndryshme për një operim sa më efiçent dhe të qëndrueshëm të sistemit elektrik të transportit urban dhe ndërqytetas.
Të gjithë subjektet e interesuara kanë afat deri në 5 janar të vitit të ardhshëm për të dorëzuar ofertat e tyre dhe projekti parashikohet me një kohëzgjatje prej 9 muajsh.