Në këtë periudhë të vështirë pandemie, kur mësimi në shkolla zhvillohet i alternuar edhe online, Parlamenti Rinor ka nismuar një ide interesante për t’u ardhur në ndihmë të gjtihë nxënësve.
Nisma “Digjitalizo një nxënës” është ideja më e re, e mbështetur nga Bashkisë së Tiranës, e cila synon që, përmes solidaritetit, të ndihmojë nxënësit për të pasur mjetet e duhura për të ndjekur mësimin në platformat digjitale.
Nisma e ideuar nga Parlamenti Rinor ka nisur me gjimnazin “Sami Frashëri”, ku dy nxënësit e parë të saj përfituan nga një tablet, i cili do t’u vijë në ndihmë për mësimin online.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi këdo që ka mundësi t’i bashkohet nismës, që të bëhet pjesë e një akti solidariteti në këto kohë të vështira edhe për fëmijët, të cilët u duhet ta zhvillojnë mësimin online për shkak të pandemisë.