Që nga nisja e muajit dhjetor monedha europiane ka shënuar një dobësim të vazhdueshëm duke arritur nivelin më të ulët që pas shpërthimit të pandemisë.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në datën 2 të këtij muaji, euro këmbehej me 123.88 lekë ndërsa të enjten arriti në nivelin e 122.92 lekëve.
Monedha europiane nuk kishte shënuar një kurs më të ulët ndaj lekut që nga data 19 mars e këtij viti.
Nga vëzhgimet rezulton se këtë të shtunë pikat e këmbimit valutor e blejnë një euro për 122.7 lekë ndërsa e shesin për 123.4.
Sipas ekspertëve të ekonomisë mbiçmimi i lekut ndaj euros është një tendencë sezonale në muajin dhjetor, e lidhur kjo me rritjen e ofertës së monedhës europiane në treg.