Zgjerimi në 12 milje, Tahiri: Shqetësuese deklaratat e Kryeministrit grek, kambanë alarmi artikulimi për ishullin e Sazanit

Shqipëria

Zgjerimi në 12 milje, Tahiri: Shqetësuese deklaratat e Kryeministrit grek, kambanë alarmi artikulimi për ishullin e Sazanit

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 22:09
Gazmir Tahiri

Greqia zyrtarizoi zgjerimin e ujërave territoriale në veri të Detit Jon pranë Shqipërisë nga 6 në 12 milje.

Për ish drejtuesin e administratës detare shqiptare Gazmir Tahiri janë shqetësuese dhe deklaratat e kryeministrit grek.

Gazmir Tahiri shprehet se kjo deklaratë nënkupton që zgjerime të tjera na presin dhe teorizimi që së fundmi i është bërë nga mediat greke për shqyrtimin e Sazanit është një interpretim katastrofik për realitetin shqiptar.

Gazmir Tahiri: Menjëherë pas vendimit kryeministri grek Mitsotakis ka dalë dhe ka deklaruar se ky është vetëm fillimi. Pra zgjerime të tjera na presim. Ajo çka është më shqetësuese në  deklaratën e Kryeministrit Mitsotakis, po shkohet dhe është përmendur dhe në disa media greke, shqyrtimi i një opsioni të një arkipelagu ishujsh. Që fillojnë nga poshtë dhe përfundojnë deri në Sazan dhe po teorizohet që dhe Sazani është pjesë e këtij arkipelagu,çka do ishte realisht një interpretim katastrofik për realitetin shqiptar. Këto janë kambana serioze alarmi të cilat bëjnë që të lëvizim nëse kemi qenë në pasivitet. Dhe unë nuk e kuptoj se ç’është ky pasivitet i autoriteteve shqiptare për arsye se çdo gjë është në dritë të kuqe.

Tahiri u shpreh se një çështje tjetër shqetësuese është marrëveshja e zonave ekonomike mes Greqisë dhe Italisë e cila është bërë pa prezencën e Shqipërisë çka do të thotë që nëse marrëveshja ratifikohet nuk mund të presim dhe të pretendojmë që të kemi zonë ekonomike ekskluzive në detin Jon.

Gazmir Tahiri: Lajmi tjetër është se pak ditë përpara se të ndodhte kjo Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka ratifikuar marrëveshjen e zonave ekonomike midis Greqisë dhe Egjiptit çka është tani e zyrtarizuar dhe në radhë në këtë dosje është marrëveshja e zonave ekonomike me Italinë. Shqetësuese është që marrëveshja e zonave ekonomike midis Italisë dhe Greqisë ka qenë pa prezencën e Shqipërisë. Është një marrëveshje arbitrare dhe duke qenë marrëveshje arbitrare pala shqiptare nuk është pyetur duke i vendosur dhe vulën e Këshillit të Lartë të Greqisë. Është fatkeqësi të konstatojmë që zona ekonomike ekskluzive e Shqipërisë në detin Jon, është diçka e fshirë realisht tani. Zyrtarisht nëse  marrëveshja me Greqinë dhe Italinë ratifikohet nuk mund të presim dhe të pretendojmë që të kemi zonë ekonomike ekskluzive në detin Jon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat