Komisioni Rregullator i KQZ ka miratuar vendimin që ndalon zhvillimin e aktiviteteve me karakter publik të institucioneve, 4 muaj para zgjedhjeve.
Në vendimin e zbardhur, KQZ thotë se “veprimtari të ndaluara”, janë edhe ato veprimtari që përfshijnë shpërndarjen e lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 mujore para datës së zgjedhjeve.
Po ashtu ndalohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore të administratës shtetërore, qendrore dhe vendore brenda orarit të punës për veprimtari dhe/ose aktivitete për qëllime zgjedhore edhe me mjetet e komunikimit elektronik.
Janë po ashtu të ndaluara aktivitetet ku të organizuara brenda orarit mësimor të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar.
Gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, shtesat ne organiken e cdo institucioni publik e shteteror apo emërime provizore, me përjashtim të rasteve të përligjura.
“Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë”, thuhet ndër të tjera në vendimin e zbardhur.
Katër muaj para zgjedhjeve, Kryeministri, administrata e tij, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri, administrata e tyre, kryetari i bashkisë zëvendësit dhe administrata e tij, Prefekti dhe administrata e tij, drejtori i përgjithshëm i agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave ose Ministrit, drejtori i përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, drejtorët e drejtorive dhe administratat respektive, drejtuesit dhe anëtaret e organeve kolegjiale, enteve, bordeve, cdo drejtues i shoqërive tregtare në administrim nga shteti si edhe në çdo ent ku shteti zoteron aksione e kapitale/kuota apo emeron shumicën e organit mbikqyrës ose të organit administrues, titullari dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore, e kanë të ndaluar të drejtojnë, të marrin pjesë apo të kontribuojnë në çfarëdolloj forme, në veprimtari publike të ndaluara sipas këtij vendimi.
Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi i akteve ligjore ose nënligjore, ose nxjerrja e tyre me qëllim informimin e publikut në lidhje me vendimmarrjen e institucionit miratues në faqen e tij zyrtare, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, faljet e kamatvonesave, të gjobave, të detyrimeve tatimore e doganore vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore ose të epidemisë/pandemisë, apo ka si qëllim zbatimin e një detyrimi ligjor me karakter ndërkombëtar apo zbatimin e një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Një pikë tjetër e vendimit është që 4 muaj para zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave publike të koncensionit/partneritet publik privat (PPP), për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncensionare të identifikuar dhe nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor.