Ish-deputetja e PD Jorida Tabaku me anë të një postimi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dështuar në menaxhimin e krizave.
Sipas Tabakut, rënia me 1 miliardë euro e GDP-së së vendit, tregon se jemi në një krizë të thellë ekonomike dhe papunësie, teksa shton se Buxheti 2021 nuk ndihmon qytetarët.
“Rama dështoi në menaxhimin e dy krizave të mëdha të këtij viti. Qeveria dështoi t’i përgjigjej në kohë krizës së shkaktuar nga tërmeti, dështoi dhe të siguronte ndihmën e duhur njerëzore dhe ekonomike ndaj biznesit dhe qytetarëve përgjatë pandemisë.
Rezultati është 1 mld euro rënie në GDP-në e vendit dhe një krizë e madhe në ekonominë dhe rritje të papunësisë“, shkruan Tabaku.
Ajo ka vijuar edhe më tej duke shtuar se varfëria pritet të rritet në vend ashtu siç e ka parashikuar edhe Banka Botërore.
“Buxheti 2021 nuk është ideuar për t’i ndihmuar qytetarët. Varfëria do të rritet sikundër dhe BB e ka parashikuar duke shkuar në nivelet e 2005, pra shqiptarët do të kthehen 15 vjet pas tek të ardhurat e tyre.
Ndërkohë që në këtë kohë krize ku janë humbur nga ekonomia 1 mld euro qeveria shqiptare do të japë për PPP-të e programuara 120 mln euro duke u rritur me 40% në raport me këtë vit.”