Drejtori i kabinetit dhe eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti në një intervistë për Ora News komentoi akordimin e fondit nga Ministria e Financës për shpërblimin e pensionistëve. Teliti e cilësoi shpërblimin si lëmoshë duke kujtuar se në 10 muaj pandemi pensionistët nuk kanë marrë asnjë ndihmë duke i përballuar në kurrizin e tyre të gjitha shpenzimet
Dorian Teliti për Ora News: Kemi 10 muaj në pandemi. Këta pensionistë që kanë sot një pension mesatar prej 170 mijë lekësh të vjetra në muaj, kanë nevojë për maska dhe alkool prej 10 muajsh. I përballojnë çdo gjë në kurrizin e tyre. Kjo lëmoshë e kryeministrit prej 50 mijë lekësh të vjetra, 3 muaj e gjysmë përpara zgjedhjeve elektorale ka thjesht një prapaskenë interesin e tij elektoral.
Teliti tha se Rama e harroi premtimin se pensioni dhe shpërblimi do u shkonte në shtëpi pensionistëve duke çuar në radhë të gjata të tyre në posta duke rrezikuar dhe infektimin nga Covid 19
Dorian Teliti për Ora News: Çfarë ndodhi në postat shqiptare? U dyndën pensionistët shqiptarë për të marrë 50 mijë lekëshin e vjetër të shpërblimit. Ishin të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre. U detyruan të thyenin masën e distancimit social për të marrë 50 mijë lekë të vjetra. Aq u ka shkuar thika në palcë këtyre njerëzve, 670 mijë pensionistëve shqiptarë sa janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre, të marrin viruse e të kontaminohen sepse nuk kanë çfarë të hanë sot. Radhët e gjata te pensionistëve janë parë, u harrua premtimi i Kryeministrit se do tua sillte pensionin apo shpërblimin në shtëpi.