Procesi i delimitimit të detit me Greqinë përfshin në debat Metën dhe Ramën! Ja përplasjet mes tyre

Shqipëria

Procesi i delimitimit të detit me Greqinë përfshin në debat Metën dhe Ramën! Ja përplasjet mes tyre

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 09:09
Ilir Meta dhe Edi Rama

Debati për çështjen e detit në Shqipëri ka arritur në nivelet më të larta politike. Pas diskutimeve të nisura prej disa ditësh tashmë, kreu i shtetit, Ilir Meta, reagoi dje përmes një njoftimi, ku bëri me dije se Shqipëria dhe Greqia kanë nisur një proces negociatash për marrëveshje që në 2018 dhe që prej atëherë atij nuk i është kërkuar ndalimi apo pezullimi i tyre. Por, nga ana tjetër, ai theksoi se nuk ka ndonjë informacion në lidhje me vijimin e negociatave, ndaj ai bëri me dije se u ka kërkuar informacion institucioneve përgjegjëse të shtetit të informojnë Presidentin në lidhje me këtë proces.

Në vijim, Presidenti Meta garanton se nuk do të lejojë të shkelen interesat e Shqipërisë. Por, Kryeministri Rama këtë reagim të kreut të shtetit e ka interpretuar si provokim dhe e ka akuzuar Presidentin Meta se po bën politikën e partisë, të cilën e ka themeluar, LSI-së. Përmes një postimi në “Twitter”, Kryeministri Rama thotë se vendimi i shtetit grek për t’u zgjeruar me 12 milje nuk afekton Shqipërinë. Më tej, ai shton se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka marrëveshje, ndaj edhe do të shkohet në gjyq.

ILIR META

“Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon: Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr. 733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e ‘Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve’, datë 19.03.2018. Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare. Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare sipas përgjegjësive që i takojnë sipas ligjit. U rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare. I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar. Sipas traditës së vendosur, pasi të vihem në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje”.

EDI RAMA

“Ilir Meta mirëkuptuaka ndjeshmërinë e qytetarëve mbi vendimin e autoriteteve greke për të ushtruar të Drejtën Ndërkombëtare të Detit për Greqinë dhe pasojat e mundshme që mund të paskërka ky vendim për vendin tonë! Në fakt, jo, Ilir Meta vazhdon kërkon shesh për përsheshin e LSI-së. Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq! Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në Gjykatë! Ja kështu, Like!”. Reagimi i zëdhënësit të Presidencës “Askush nuk duhet të ketë iluzionin se mund t’iu shmanget detyrimeve kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në Shqipëri. Sovraniteti dhe të drejtat sovrane të Shqipërisë janë të shenjta dhe askush nuk mund të guxojë t’i trajtojë si koncesionin apo tenderin e radhës. Çdo institucion kushtetues i Shqipërisë, institucion shkencor apo shoqëria civile, duhet të jenë të angazhuara për mbrojtjen e interesave kombëtare, të patjetërsueshme. Presidenti i Republikës, SH.T.Z Ilir Meta, nuk do të tolerojë as më të voglën shkelje të Kushtetutës, ligjit apo një papërgjegjshmëri shtetërore të çdo niveli, të qëllimshme ose jo dhe që cenon interesat kombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat