Presidenti Ilir Meta emëroi dje noteren Sonila Bejtjen, si anëtare të shtatë të Gjykatës Kushtetuese, vetëm disa orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar emrin e saj për vendin vakant.
Pas emërimit të Bejtja, tashmë Gjykata Kushtetuese bëhet me 7 anëtarë. Në njoftimin e KED, thuhet se në mbledhjen e djeshme, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Presidencës dhe Avokati i Popullit janë diskutuar dhe marrë edhe një sërë vendimesh të tjera.
Gjykata Kushtetuese ishte me 6 anëtarë, pasi në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit, qëndron Vitore Tusha, e cila vjen nga radhët e gjyqtarëve që propozon Gjykata e Lartë. Në njoftimin për shtyp, në lidhje me mbledhjen e djeshme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pati si rend dite (KED), në datën 28.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës: Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Miratimi e ekspertit për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati i lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese; Ndërprerjen e procedurës se vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese për kandidatin e lejuar, Z Altin Binaj; Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidaturës së lejuar znj. Sonila Bejtja; Vlerësimi, pikëzimi dhe renditja për kandidatët e lejuar; Diskutimi dhe miratimi i listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës.
Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, KED diskutoi paraprakisht mbi përfundimin e procedurës së vlerësimit për secilin prej kandidatëve që kanë shprehur interes për plotësimin e këtij vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, si edhe me faktin se kanë kaluar afatet e ankimit për kandidatët e ndaluar.
Këshilli vijoi më intervistimin e kandidatës Sonila Bejtja, e cila ishte paraqitur dje përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve bëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës.