Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar një relacion sa i takon projektvendimit për “Rregullat e veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”. Në relacion thuhet se Policia e Shtetit duhet të hartojë një Plan Masash për ruajtjen dhe sigurimin e ndërtesave ku do kryhet administrimi i zgjedhjeve, mjediseve të jashtme, shoqërimin e materialeve dhe pajisjen e punonjësve me detyra.
Policët duhet të instruktojnë dhe trajnojnë punonjësit në lidhje me dokumentacionin zyrtar që përdoret gjatë procesit. Ndalohet angazhimi i punonjësve të policisë të rekrutuar në 4 muajt e fundit para ditës së zgjedhjeve. Asnjë person i armatosur nuk lejohet të qëndrojë në mjediset e qendrës së votimit dhe mjediset jashtë qendrës së votimit, me përjashtim të punonjësve të Policisë në ushtrim të detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i paraqet Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve 10 ditë para datës së zgjedhjeve listën e plotë të punonjësve të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve. Ai është i detyruar të informojë menjëherë Komisionerin për çdo ndryshim në listë.
Në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës dhe rreth QV dhe në një rreze prej 150 m, sipas shenjave dalluese nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar.
Në nenin 8 thuhet se duhet të ketë një regjistër të posaçëm nga ana e Policisë së Shtetit për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore.
“Gjatë periudhës zgjedhore, ky regjistër është i aksesueshëm në çdo moment nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga subjektet zgjedhore”, thuhet në relacion.
Ndalohet përdorimi i materialeve propagandistike që mund të ndodhen në qendrën e votimit dhe rreth saj në një rreze prej 150 m. Duke u ndalur te prania e efektivëve në ambientet e VNV-së, vendimi për kërkimin e ndihmës do të paraqitet me shkrim ku përcaktohen shkaqet dhe rrethanat.
Sa i takon shoqërimit të kutive me fletët e votimit nga KQV te vendi i numërimit të votave, transporti do bëhet me automjet ku ndodhen anëtarë të KQV-së, sekretari i KQV-sё dhe një punonjës i Policisë së Shtetit. “Punonjësi i Policisë së Shtetit nuk ka të drejtë në asnjë rast, që të posedojë, apo të ketë kontakt, me materialet e mësipërme”, thuhet në relacion.