Buqeta me lule në anë të rrugës së fshatit Marinëz në Roskovec tregon vendin ku u aksidentua për vdekje 60-vjeçarja Zeqine Kasa dhe u plagos e bija 33 vjeçare.
Për aksidentin është vënë në pranga 34 vjeçari Sokol Prifti, ai rezulton se është efektiv i policisë bashkiake të Roskovecit, ndërsa në momentin e aksidentit ka qenë në gjendje të dehur.
Ngjarja u shënua më 28 dhjetor, gruaja ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda një ditë më pas.
Bashkëshorti i 60 vjeçares ngre dyshime se krimin po mundohen ta fshehin me para.
“Kam ngelur jetim, dhe fëmijët. Ky është i trembur, ajo tjetra është e plagosur. Nuk mund t’i ushqej dot. Veç gjërave që mundohet të fshihet. I kërkoj qeverisë drejtësi.”
Banorët e zonës akuzojnë Bashkinë Roskovec, që sipas tyre rehabilitoi rrugën por nuk vendosi sinjalistikë.
“Bashkia shtroi një rrugë këtu dhe gabimi i parë është që tabela 150 metra larg duhet vënë në kryqëzim. Sinjalistika është gjëja e parë.”
Ndërkohë një 46 vjeçar humbi jetën rreth mesnatës në Rrogozhinë pasi mjeti me të cilin udhëtonte doli nga rruga pranë vendit të quajtur Bishti i Zhurit.