Shumë fshatra në Tropojë, Shkodër, Kukës, Burrel e Vlorë po vuajnë mungesën e energjisë elektrike për shkak se rrjeti shpërndarës është dëmtuar nga moti i keq që përfshiu vendin. Shtabet e emergjencave thonë se po punohet për riparimin e defekteve, por puna vështirësohet bora që shkon deri në 80 cm.
Valbona dhe disa fshatra të tjera në Lekbibaj të Tropojës po vuajnë prej katër netësh mungesën e energjisë elektrike. Reshje e dëborës dhe era e fortë kanë rrëzuar shtyllat dhe kanë dëmtuar rrjetin shpërndarës.
Veç Tropojës, probleme me energjinë elektrike ka edhe në bashkitë Shkodër, Kukës, Burrel e Vlorë.
Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella. OSHEE thotë se grupe pune janë në terren për riparimin e defekteve, por po hasin në vështirësi
Problematika shfaqen kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.
Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj, siç tregojnë edhe këto pamje.
Dëmtimi i rrjetit shpërndarës së energjisë është një problem i vazhdueshëm në zonat malore edhe për shkak të amortizimit ndër vite.
Ndërsa vështirësitë e krijuara nga moti, i bëjnë banorët të frikësohen se do ta kalojnë ndërrimin e viteve në errësirë.