Urimi i Kryeministrit Rama për Vitin e Ri: Pas goditjeve nga tërmeti e pandemia dolëm më të fortë, të keqen e lamë pas krahëve

Shqipëria

Urimi i Kryeministrit Rama për Vitin e Ri: Pas goditjeve nga tërmeti e pandemia dolëm më të fortë, të keqen e lamë pas krahëve

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 18:27
Edi Rama

Në prag të ndërrimit të viteve kryeministri Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2021.

Rama u shpreh se 2020 ishte viti më i vështirë, për shkak të pandemisë dhe tërmetit, duke shtuar se pas goditjeve, dolëm më të fortë.

“Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë festat e këtij viti po i kalojmë mbyllur herët në shtëpi.  As mesnata e fishekzjarrëve nuk do të ndodhë këtë herë. Për ne shqiptarët, koronavirusi ishte një kafshatë e pakapërdishme pas tërmetit të 26 nëntorit. Gjyshërit u kërcënuan në jetën e tyre, fëmijët e ndaluar në shkollimin e tyre. Mijëra prindër humbën punët e tyre.

Ky vit ishte një nga ato lloj sfidash, kur i thonë rrëzojnë elefantë. Jam krenarë për bluzat e bardha sepse falë tyre dhe falë jush luftuam dhe po luftojmë dhe tja dalim më të fortë, qëndruam dhe i rezistuam goditjes së egër të tërmetit, sot shkollat e shembura po rilindin. Po rilindim për ditë më të bukur dhe më të forta edhe shtëpitë e goditura nga tërmeti.

Puna vazhdon çdo ditë dhe çdo natë deri kur të hapet dera e fundit për familjet e prekura nga tërmet.

Beteja jonë vazhdon me sigurimin e vaksinës kundër armikut të padukshëm. Si kudo në botë, do të nisë me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha, mësuesit, punonjësit e policisë. Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Kjo nuk luftë nuk do të mund të mbarojë në fund të vitit të ardhshëm”- theksoi Rama.

Ai u shpreh se vitin e ardhshëm, biznesi i vogël do ta nisë me zero taksa, ndërsa mjekët do të marrin paga më të larta.

“Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën. Por imagjinojeni vetëm për një çast sikur dy goditje të njëpasnjëshme të na kishin ndodhur 7 vjet më parë do të ishte e pamundur të përballonim pasojat e njërit dhe plagëve të tjetrit, por ne po i përballojmë.

Ka shumë punë për të bërë por më besoni se falë karakterit dhe bashkimit të fuqive tonë të keqen e kemi lënë pas”, shtoi më tej, duke dhënë në fund një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët: “Gëzuar Vitin e Ri, qoftë një vit sa më i mbarë dhe kjo dekadë që po fillon qoftë më e mbarë e historisë tonë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat