Kreu i Sektorit të Hotelerive, Zak Topuzi tha për Euronews Albania se sektori i turizmit në Shqipëri është nga më të goditurit për shkak të pandemisë, por edhe më pak të ndihmuarit nga qeveria.
Teksa kujtoi faktin se Shqipëria është vendi i dytë pas Malit të Zi për nga ndikimi i madh që ka turizmi në ekonomi, z. Topuzi tha se sot jemi në një situatë kur kemi 62 për qind më pak turistë se vitin e kaluar në një kohë që çmimet kanë qenë 30 për qind më të ulëta.
“Zgjidhjet që janë dhënë lidhur me vaksinën kanë dhënë një situatë optimiste, por përmirësimi i turizmit do të vijë gradualisht për 3-5 vjet. Është industria e fundit ku njerëzit mendojnë se do të përdorin të ardhurat e tyre pas një mbijetese të vështirë.
Gjithë bota u mbyll, siç po bën edhe Greqia sërish, por i është përgjigjur kësaj industrie me pagesat e punonjësve, me ndryshime rrënjësore në paketat fiskale, duke hequr TVSH kurse Greqia ka zëruar TVSH e bareve restoranteve që t’u japë mundësi të mbijetojnë.
Duhet një periudhë e gjatë ringritjeje, situata do të përmirësohet kur vaksinimi të ketë përfunduar në të gjithë botën.
Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë masë subvencioni për këtë industri edhe pse është më e goditura. Nuk shohim ndonjë dëshirë të qeverisë për të ndihmuar por është një industri që nëse do të bjerë do të jetë e vështirë të ringrihet”, tha Topuzi.