Në emisionin "Shock" të drejtuar nga gazetarja Bruna Çifligu, dy gazetarët e njohur Andi Bushati dhe Baton Haxhiu analizuan lëvizjet e fundit në kabinetin Rama. Kjo taktikë e shefit të qeverisë për z. Bushati është një manovër elektorale dhe tregon se fokusi nuk është tek mirëqeverisja e qytetarëve, por tek sigurimi i mandatit të tretë.
“Unë mendoj se Edi Rama del më i dobët, sepse ai tregon në sy të publikut se ai vendos ministra në funksion të halleve elektorale të Edi Ramës. Një njeri i cili nuk është i aftë elektoralisht hiqet nga ministria. Mendohet për PS, jo për shtetin, mendohet për mandatin e tretë dhe jo për qeverisjen e vendit. Ramën e ka kapur ankthi elektoral’, tha ai.
Ndryshe nga Bushati, Baton Haxhiu thotë se kryeministri Rama ka zgjedhur strategjinë e duhur, kur ka vendosur të rikthejë ministrat politikë në qeveri.
“Kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të ketë fare frikë pse ka vendosur të rikthejë ministrat politikë. Strategjikisht kjo është e menduar mirë. Sa i përket dy figurave nga Kosova, ata realisht nuk kanë pasur funksion elektoral, kanë pasur funksion profesional. Ata kanë qenë të suksesshëm brenda qeverisjes”, tha ai.
Sa i takon dy ministrave nga Kosova, të cilët dhanë dorëheqjen, z. Bushati shprehet se ata janë paragjykuar jo për shkak të origjinës, por për shkak se kanë shërbyer si kukulla të kryeministrit të vendit. Ai shkon më tej duke shtuar se të gjithë ministrat aktualë në qeveri janë “kukulla”, të cilat i shërbejnë interesit të shefit të mazhorancës.
“Emrat e rinj janë pika të forta elektorale të PS. Janë njerëz që kanë pasur një të shkuar në qeveri. Besa Shahini dhe Gent Cakaj nuk janë paragjykuar si kosovarë, janë paragjykuar për shkak të katapultimit si kukullat e Edi Ramës. Për mua të gjithë po”, theksoi ai.
Gazetari Haxhiu në studion e emisionit “Shock” theksoi se kryeministri Rama është i vetmi që ka ndryshuar ministra në pikat kur ka pasur kriza, ndërsa theksoi se paraardhësit e tij nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Rama është i vetmi që ka pasur guxim të ndryshojë ministra në pikat ku ka pasur kriza. Ai ua numëron gabimet”, u shpreh ai.