Gent Cakaj e ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Cakaj tha se detyrën e dorëzoi në duart e vyera të Olta Xhaçkës.
Ai poashtu tha se do të jetë mbështetësi më i madh i saj, që ajo të përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritja të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme, transmeton lajmi.net.
Ndër të tjerash Cakaj theksoi se do të jetë pranë saj sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë, sa herë e kërkon nevoja.
Postimi i plotë
Sot, edhe zyrtarisht, kam dorëzuar detyrën në duart e vyera të Olta Xhaçkës.
Nga dita e sotme nuk do të jem thjesht një paraardhës politik i Oltës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme.
Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja.
Ndërkohë, patjetër, mbetem tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit, duke filluar nga forcimi i faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, vendimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesia e suksesshme të OSBE-së e deri te afrimi historik për marrjen e ulëses jo të përherëshme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.
Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Përpjekja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë.
FALEMINDERIT SHUMË!
SUKSESE E PUNË TË MBARË OLTA!