Meta reagon për “rrjedhjen e trurit” nga Shqipëria: Po largohen edhe ata që marrin pagesë të kënaqshme, 25 prilli vendimtar për…

Shqipëria

Meta reagon për “rrjedhjen e trurit” nga Shqipëria: Po largohen edhe ata që marrin pagesë të kënaqshme, 25 prilli vendimtar për…

Më: 5 janar 2021 Në ora: 10:52
Ilir Meta

Një rekord të zi e konsideroi presidenti Ilir Meta raportin e publikuar nga OECD, ku Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.

“Largimi i ‘ajkës’ së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, shprehet Meta.

Kreu i shtetit thekson se referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë.  

Deklarata e plotë

Një tjetër rekord i zi! Sipas raportit të vitit 2020, të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë.  Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë.

Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat