Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka ironizuar Partinë Demokratike dhe kreun e saj, Lulzim Basha, pas denoncimit të zëdhënëses, Ina Zhupës.
Veliaj e quan dramatike situatën brenda Partisë Demokratike pasi sipas tij kjo forcë politike në denoncimet e saj ka ngatërruar personat më të cilët sipas PD s’kanë përfituar nga fondet e rindertimit.
“Situata me tërmetin serioze, por aspak dramatike. Situata me PD është dramatike, por aspak serioze. Tjetër Lul Ali Aga, tjetër Lul Shaban Aga, e tjetër Lul Gjum Aga,” shprehet Veliaj.
Bashkia e Tiranës reagoi sot deklaratën e përfaqësueses së PD, Ina Zhupa, e cila pretendonte se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit ka përfituar nga Programi i Rindërtimit, ndërkohë që zotëron 4 prona të tjera dhe duhet të përjashtohej si përfitues, por nga dokumentet e publikuara nga Bashkia e Tiranës, rezulton se PD ka ngatërruar person dhe shtëpia në të vërtetë i është ndërtuar Luli Shaban Agës.
DEKLARATA E PLOTË E BASHKISË SË TIRANËS:
Është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha e ka shndërruar Partinë Demokratike në prodhuese dhe shpërndarëse qesharake ‘fake neës’-esh. I mbytur nga dëshpërimi se po përgatitet të humbë sërish zgjedhjet në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, Lulzim Basha e ka humbur toruan dhe çdo ditë fabrikon mashtrime të ulëta për procesin e rindërtimit, duke guxuar të tallet me të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit.
Lulzim Basha, njeriu që ka hyrë në histori me nofkën kryebashkiaku i gjumit, i ka mashtruar shtatë herë qytetarët e Tiranës dhe rasti i sotëm është mashtrimi i tetë. Në një deklaratë qesharake të publikuar sot, një spikere e PD-së pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit dhe po i rindërtohet shtëpia, ndërkohë që sipas saj, ai zotëron 4 prona të tjera.
Lulzim Ali Aga mund t’i zotërojë pronat që pretendon PD-ja, por ky shtetas nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton atij shtëpinë.
Në Njësinë Administrative Vaqarr në datën 21 shkurt 2020 ka aplikuar shtetasi Luli Shaban Aga, shtëpia e të cilit është klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim. (Dokumentet i gjeni bashkëlidhur.)
Njësoj si në rastin e Tatjanës nga Njësia 4, të cilës Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i ndryshuan identitetin dhe e bënë Fatime, për të mashtruar qytetarët e Tiranës, edhe sot Luli Shaban Agës i ndërruan identitetin dhe e kthyen në Lulzim Ali Aga për të fabrikuar gënjeshtrën e radhës.
Por, me sa duket, PD-ja ka ngatërruar Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit.
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë lënë pa ndihmuar as edhe një familje që është prekur nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, por vijon punën për strehimin e tyre në banesa të reja, të rindërtuara, më të mira e më të sigurta.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA
Procesi i rindërtimit, më shumë se 1 vit nga tërmeti, është kthyer në një proces abuziv dhe selektiv, duke shpërblyer në mënyrë të paligjshme militantët e partisë në pushtet.
Ligji e ndalon që bashkia të paguajë për rindërtimin e banesave të atyre që kanë më shumë se një pronë, por Erion Veliaj e ka shkelur këtë ligj për interesa personal partiakë.
Kur mijëra njerëz jetojnë ende në çadra apo në pasigurinë e qerasë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, po i rindërton Lulzim Agës një godinë njëkatëshe, në mënyrë të paligjshme.
Pak javë më parë, vetë Erion Veliaj ishte këtu për të inauguruar nisjen e rindërtimit. E ka bërë këtë, edhe pse e di se ligji ia ndalon këtë, kur një person I dëmtuar ka më shumë se 1 banesë në pronësi.
Sa banesa ka bashkëpunëtori i Erion Veliajt? Si pakkush në Shqipëri, ai ka edhe 4 prona të tjera, ndër të cilat 2 shtëpi banimi.
Dokumentat provojnë se Erion Veliaj po rindërton një godinë njëkatëshe për dikë që ka edhe një një shtëpi 3 katëshe, po këtu pranë, një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë dhe dy prona të tjera në truall.
Rindërtimi është dështimi i rradhës i qeverisjes socialiste. Edhe ato pak ndërtime që reklamojnë nuk janë për të ndihmuar qytetarët por për të bërë qokat e tyre ne shkelje të ligjit. Qytetarët po i gjen viti i ri në shtëpi të pabanueshme, në kushte të vështira, në rrezik për jetën.
Në të vërtetë, njësoj, si Edi Rama, edhe Erion Veliaj është një dështim. Qytetarët mund t’i bëjnë vetë llogaritë. Kjo qeveri dhe ky kryebashkiak i trajtojnë disa si të nënës, disa si të njerkës. Për këta nuk ka rëndësi, nëse vendimi që marrin është i drejtë. Për këta ka rëndësi vetëm shfrytëzimi i taksave të shqiptarëve ose për të vjedhur, ose për llogari elektorale.
Shkelja e Erion Veliajt, në këtë rast, është flagrante. Ai është në shpërdorim të detyrës dhe duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, pse lë jashtë në çadër njerëz pa mbështetje politike dhe pse i ndërton shtëpinë e tretë bashkëpunëtorit të tij partiak.
Në të vërtetë, njësoj, si Edi Rama, edhe Erion Veliaj është një dështim. Pas një konsumimi kaq të madh, ata nuk mund të ndryshojnë dot më asgjë.
Qytetarët janë ngopur me gënjeshtrat, mashtrimet dhe propagandën e tyre. Qytetarët duan ndryshimin, duan të trajtohen të gjithë njësoj para ligjit. Këtë ndryshim do ta bëjë të mundur vetëm Partia Demokratike.