Mjekët e spitaleve Covid do të jenë të parët që do të vaksinohen për koronavirus.
Ekspertja e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, Erida Nelaj, thotë në 10 mijë vaksinat e para do të sigurohen që të kryhen të dyja dozat e nevojshme për një person.
“Do të mundohemi me sasinë e parë të mbulojmë pjesën e parë të punonjësve shëndetësorë të linjës së parë dhe të moshuarve në shtëpitë e qëndrimit të kujdesit afatgjatë dhe më pas të llogarisim po për këta persona dozën e dytë që bëhet pas 21 ditësh”.
Në të gjithë vendin janë rreth 18 mijë mjerkë dhe infermierë si dhe 30 mijë mësues që konsiderohen si pjesë e grupeve të riskut.
Nelaj gjithashtu thotë se me dozat e dyta që do të vijnë në muajin shkurt do të vaksinohen të gjitha grupet e rrezikuara, ku veç arsimtarëve përfshihen edhe forcat e rendit.
“Janë personat kyç si mësuesit, policët. Përsonat kyç që mbajnë në funksion të gjithë organizimin e shtetit. Nuk janë në fazën e parë por do të vijnë gradualisht në fazat përkatëse.”
Me mbërritjen e sasive të para do të përfshihen në skemën e kordinimit dhe vaksinimit edhe mjekët e familjes.
“Organizimi në nivele më të vogla do të bëhet nga mjekët e familjes. Ata e dinë se kush janë personat kronikë.”
Vaksinat Pfizer do të ruhet në kushte frigoriferike në temperaturë -70 Gradë Celsius.
Përveç Tiranës janë planifuikuar të ngrihen edhe dy pika të tjera në Vlorë dhe Shkodër.
Në kuadër të masave anti-Covid, Urgjencës Kombëtare ju shtuan edhe 36 autoambulanca të cilat do të shpërndahen në spitalet rajonale që trajtojnë të prekurit me Covid.