Emigrantët nga Shqipëria e mesme dhe juglindja po përdorin rrugën trazit nga Maqedonia e Veriut për tu rikthyer në vendet e punës në Greqi, pas festave. Pika kufitare e Qafë Thanës ka shënuar fliks të pazakontë pas mbylljes së Kapshticës.
Mbyllja e doganës së Kapshticës e ka devijuar tranzit përmes Maqedonisë së Veriut rrugën e kthimit në vendet e punës në Greqi të emigrantëve që kaluan festat e fundvitit në Shqipëri.
Pika Kufitare e Qafë Thanës shënoi fluks të pazakontë që në ditët e para të vitit të ri, kur ajo nisi të përdoret kryesisht nga emigrantët nga Shqipëria e Mesme ose juglindja.
Përgjatë 5 ditëve të para të vitit 2021 nga aty kanë dalë 6500 shtetas, shumica emigrantë në Greqi.
Për të përballuar fluksin nga pala shqiptare punohet me 4 sportele në hyrje dhe dalje ndërsa maqedonasit punojnë vetëm në tre sportele.
Udhëtarët thonë se tranziti nga Maqedonia e Veriut u kursen më shumë se 1 orë e 30 minuta rrugë.
Në kohën kur Kakavija në Gjirokastër është porta e vetme dalës drejt Greqisë, lëvizjet kanë qenë të pakta.
Në 24 orët e fundit kanë dalë 343 persona.
Masat kufizuese të pandemisë nga shumë vende bënë që numri i emigrantëve që u kthyen për festa të ishte shumë i ulët në krahasim me vitet e kaluara, çka shmangu edhe radhët kilometrike në pikat kufitare të zakonshme në periudhat festive.