Baton Haxhiu i konsideroi si hipoteza të paçuara deri në fund qëndrimet kritike dhe skeptike kundër qeverisë së Edi Ramës për çështjen e delimitimit të kufirit detar me Greqinë. Sipas Haxhiut kryeministri Rama është person që i qëndron deklaratave publike që bën dhe se Shqipëria ka fituar më shumë dinjitet në raport me vendet fqinje krahasuar me vitet e shkuara.
Duke debatuar me Andi Bushatin në emisionin e Euronews Albania “Shock”, Haxhiu tha se çështja e 12 miljeve detare është pezull edhe mes shteteve të tjera të rajonit ndërkohë që qasja e Ramës ka qenë e pandryshueshme dhe në shmangie të konflikteve.
“Rama me këtë qëndrim i ikën një konflikti të panevojshëm që mund t’i ndodhë për shkak të ashpërsimit të gjuhës politike, gënjeshtrës së asaj se çfarë mund të vijë [...] duke njohur Edi Ramën, ai betejat edhe kur i nis, ai është i qëndrueshëm në ato që thotë publikisht, ndaj besoj se këto 12 miljet, që ti [Andi Bushati] thua se është transparencë e gabuar, mendoj se është mirësi politike në një proces negociues i pashmangshëm për të ndodhur,” – tha Haxhiu.
Haxhiu vijoi debatet me gazetarin Andi Bushati, i cili mendonte ndryshe, duke këmbëngulur se në rrafshin gjeopolitik të rajonit çështja është më komplekse dhe përfshin edhe vendet e tjera.
“Grekët për faktin se kërkuan 12 milje [me Shqipërinë], nuk kanë përfituar asgjë nga territori dhe ujërat shqiptare, por përkundrazi për faktin se kishin frikë nga Turqia vendosën diçka të pakuptimtë që asnjë nga ekspertët nuk e besoi se ka diçka të paqëndrueshme me Shqipërinë,” – tha Haxhiu duke nënkuptuar se lëvizja e Athinës karshi Shqipërisë për detin është më shumë një lëvizje që synon për të nxitur trysni ndaj Turqisë.
Gazetarja Bruna Çifligu e pyeti Baton Haxhiun se pse Shqipëria nxit perceptimin e përgjithshëm se është më e dobët përballë fqinjëve, mirëpo Haxhiu u përgjigj për të kundërtën se ky perceptim ka ndryshuar gjashtë vitet e fundit.
Sipas Haxhiut, Konferenca e Berlinit dhe konferenca e përbashkët në Beograd mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç gjashtë vite më parë i kanë kthyer dinjitetin përballë fqinjëve shqiptarëve.
“Kanë rikthyer njëfarë besimi se ballafaqimi me të vërtetën dhe bartja e saj në tavolinë e kthen dinjitetin e një vendi të cilit dinjiteti i ka munguar, një vend s’mund të ketë dinjitet kur s’ka mirëqenie dhe për faktin se ajo është rritur dhe Shqipëria është në kulmin e zhvillimit, mendoj se pjesa objektive e kësaj mirëqenie e ka rritur këtë dinjitet, mendoj se gjuha e një politikani në Shqipëri aktualisht është larg nga ajo që ka qenë vitet e kaluara,” – tha Haxhiu.