Sot në zyrën e re në Tiranë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shqipëri, Drejtori Ekzekutiv Boiken Abazi së bashku me anëtaren e Bordit Drejtues Gearda Demiraj dhe aktivistin dhe pedagogun Iliaz Shehu, pritën në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë për Republikën e Shqipërisë dhe për Republikën e Kosovës, Jens Erik Grøndahl.
Në këtë takim, Ambasadori Grøndahl shprehu interesimin për të mësuar më shumë mbi zhvillimet e fundit në Republikën e Shqipërisë dhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Përfaqësuesit e Lëvizjes e njohën Ambasadorin Grøndahl me angazhimin që po ndërmerr Lëvizja për të nxitur dhe mbështetur iniciativa qytetare që çojnë përpara kandidatë nga zgjedhësit në cilëndo prej 12 zonave elektorale në Republikën e Shqipërisë. Në përputhje me statutin e qendrës, LVV Shqipëri synon “nxitjen e angazhimit aktiv dhe demokratik qytetar...” edhe përmes zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Takimi u mbyll duke synuar vazhdmin e komunikimit dhe takime të tjera në të ardhmen e afërt.