Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ka përfunduar hetimet lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 në Shkozet të Durrësit.
SPAK merr si të pandehur kushëririn e deputetit të PS Rrahman Rraja, Redjan Rraja si dhe shtetasin Arjol Halilaj.
Dy personave në fjalë do t’iu komunikohet akuza ditën e hënë.
Ndërkohë vijojnë hetimet për personin e tretë që shfaqet në video teksa largohej me Redjan Rrajën nga vendi ku braktisën automjetin tip BMW, në Shkafan të Ishmit.
Gjatë atentatit ndaj prokurorit Ndoja humbi jetën shoferi i këtij të fundit Andi Maloku.
Si ndodhi atentati
Rreth orës 16:30 të ditës së premte Arjan Ndojës iu bë atentat te mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Prokurori ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, në atë kohë shofer i prokurorit.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur.
Pas breshërisë së plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një ‘Benz CLS’ që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve.
48-vjeçari Landi Muharremi është me precedentë penalë, i dyshuar si i përfshirë në 2016-ën në rrahjen e biznesmenit libanez i cili do të investonte përmes ndërtimit të një kompleksi në Gjirin e Lalzit, tokë mbi të cilën Muharremi pretendonte pronësinë.
Pak ditë para atentatit, prokurori i Durrësit Arjan Ndoja u bë personazh i njohur pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë e futi Ndojën në grupin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që “e shfrytëzojnë pushtetin me moton “të kapim çfarë të kapim” (KÇK).