Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka reaguar pas kaosit dhe dhunës në Kapitolin e SHBA, ku mbështetës të Trump u futën në Kongres, në përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Biden.
Me një shënim në Twitter, Kim falënderon shqiptarët për mbështetjen, ndërsa thotë se “SHBA do të dalë më e fortë dhe më e mençur pas kësaj prove të demokracisë sonë”.
Sipas ambasadores, liria e fjalës dhe e drejta e mbledhjes janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë
Postimi i plotë:
Shumë miq shqiptarë kanë shprehur tronditje dhe shqetësim rreth sulmit të fundit mbi Kapitolin e SHBA. Unë do të doja t’ju falënderoj për mbështetjen. Dje, Presidenti Trump bëri të qartë se SHBA është dhe duhet të mbetet një komb i rendit dhe ligjit, dhe ata që shkelën ligjin do të paguajnë një çmim.
Presidenti Trump gjithashtu e bëri të qartë se Kongresi ka vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve tona dhe ai tani është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe pa ndërprerje të pushtetit në 20 Janar.
Çfarë SHBA këshillon për të tjerët zbatohet edhe për ne: liria e fjalës dhe e drejta e mbledhjes janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit.
Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk guxon të merret si e mirëqenë nga askush prej nesh. SHBA do të dalë më e fortë dhe më e mençur pas kësaj prove të demokracisë sonë. Ata prej nesh që besojnë në demokraci, duhet të mblidhen për ta çmuar dhe mbrojtur atë gjithmonë.