Prej më shumë se 1 viti nga goditja e tërmetit të 26 nëntorit, procesi i rindërtimit të banesave duket se po ecën me ritme shumë të ngadalta. Familja e Myslym Gjylit ne fshatin Gjuriçaj po kalon dimrin e dytë në çadër ndërsa ende punimet për rindërtimin e shtëpisë së tij nuk kanë nisur ndaj kërkon ndihmë.
Pas më shumë se 1 viti nga goditja e tërmetit të 26 nëntorit, dimri i dytë sërish e ka gjetur në çadër familjen e Myslym Gjylit në Gjuriçaj të Durrësit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, reshjet e shumta të shiut që kanë sjellë edhe përmbytje e kanë vështirësuar akoma më shumë jetesën e përditshme.
Ai tregon se shiu ka depërtuar duke hyrë brenda strehëzës, dhe i ka detyruar të hedhin shumë veshmbathje dhe orendi shtëpiake.
“Çdo cep i çadrës është me ujë, ftohtë i tmerrshëm.”
Më tej ai tregon se ka trokitur në shumë dyer institucionesh kompetente për të kërkuar ndihmë pas vlerësimit të dëmit.
Madje ka bërë disa kërkesa dhe ankesa për rindërtimin e banesës që iu shemb nga tërmeti por duket se kanë qenë vetëm premtime boshe të herëpashershme e si rrjedhojë tashmë ai ka mbetur pa ndihmën e askujt.
“Kam shkuar te zyra e informacionit në Durrës kam bërë ankesë-kërkesë, asgjë deri tani. Vijnë dhe ikin, diçka do të bëhet për ty por kur?”
Me dëshpërimin që lexohet tek sytë e tij, shpreh se për të ka shumë kohë që nuk e ndjen aromen e shtëpisë.
Netët e dimrit janë të ftohta në çadrën e tyre dhe thotë se sëbashku me bashkëshorten e tij bien në gjumë herët për tu zgjuar po herët në mëngjes, duke shpresuar se dita e re do të sjellë për ta triumfin e shpresës.
“Gjithë ditën duke hapur sytë se po vjen ndonjë inxhinier. Shumë e tmerrshme, nëse e ke inat tjetrin i thuaj “të pafsha në çadër”.
Mesa duket procesi i rindërtimit të banesave të tërmetit po ecën me ritme shumë të ngadalta.
Apeli për ndihmë i kësaj familjeje shkon ndaj të gjithë institucioneve kompetente dhe çdokujt që e dëgjon thirrjen, individi apo biznesi, për të kthyer vëmendjen në mënyrë që të përmbushin sadopak minimumin jetik.