Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të pezullojnë vendimin për të dëbuar turkun Selami Simsek.
Drejtësia evropiane ka bërë kështu sigurim padie për Simsekun, të cilit më 2 korrik autoritetet shqiptare i refuzuan kërkesën për azil politik.
Simsek e pati paditur në Gjykatën Administrative mohimin e të drejtës për azil nga Ministria e Brendshme, padi që në dhjetor u rrëzua, por sidoqoftë ai kishte si mundësi edhe apelin.
Kështu deri në pritje të vendimit të Apelit, sipas autoriteteve evropiane Simsek duhet të mos dëbohet për në Turqi.
Turku u arrestua në vitin 2019 në aeroportin e Rinasit teksa po udhëtonte tranzit për në Kanada së bashku me një të njohurin e tij, Harun Çelik. Të dy u pikasën me dokumente false dhe për këtë u dënuan me një vit burg.
Pas shlyerjes së dënimit, Harun Çelik u dëbua nga Shqipëria më 1 janar 2020, pasi i qe mohuar e drejta e azilit. Pas tij, Simsek kërkoi gjithashtu azil dhe deri më sot mbetet në qendrën e mbyllur për emigrantët në Kareç të Vorës pa e fituar ende azilin.
Në Turqi si Çelik, po ashtu edhe Simsek cilësohen anëtarë të organizatës së Fethullah Gülen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzon si përgjegjës për puçin e dështuar të shtetit në vitin 2016. Të dy i kanë paraqitur autoriteteve shqiptare argumente, sipas së cilave në Turqi nuk u garantohet proces i rregullt gjyqësor dhe largimin për në Kanada e shihnin si rrugë për t'iu larguar përndjekjes politike.
Autoritetet shqiptare kanë marrë vazhdimisht kritika për mënyrën se si i qasën kërkesat për azil të dy turqve. Eurodeputetë të ndryshëm kërkuan transparencë për procedurat e ndjekura, ndërkohë që në maj 2020 Organizata e Kombeve të Bashkuara nisi hetim për dyshime të mundshme në shkelje të të drejtave të njeriut.