Ky është vetëm fillimi. Reshjet paraditen e sotme kanë ndalur por pritet të shtohen pasditen e sotme e nesër për të arritur pikun më 11 janar.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi monitoroi nga afër situatën në Kallmet të Lezhës ku njoftoi dhe se shtabet e bashkive dhe të prefekturave janë gjatë gjithë kohës në gadishmëri.
Niko Peleshi: “Nga pasditja dhe ditët që pasojnë do të ketë reshje, vende-vende do të jenë me intensitet më të lartë, por ne shpresojmë edhe sipas përllogaritjeve tona që ulja e intensitetit të reshjeve edhe gjatë ditës së sotme do të na krijojë rezervën që kur të na shtohen reshjet, të cilat arrijnë pikun në datën 11, të kemi rezervë për të mos patur përmbytje të mëdha.”
Peleshi tha se ushtria është në gadishmëri për çdo evakuim të nevojshëm ndërsa për momentin deri tani ka pasur vetë 2-3 evakuime.
Niko Peleshi: “Dua ta them që më e rëndësishmja janë jetët njerëzore, të cilat nuk kanë qenë të kërcënuara në asnjë moment. Në qarkun e Shkodrës kemi patur 2-3 evakuime, kemi prezente Forcat tona të Armatosura, Forcat tokësore të Komandës mbështetëse dhe në të gjithë qarqet e rrezikuara të vendit janë rreth 260 forca të specializuara nga FA në mbështetje të shtabeve vendore si dhe mbi 1200 forca të tjera të angazhuara.
Rreth 1500 forca të tjera janë angazhuar nga shtabet e bashkive. Pra, prezenca jonë është e lartë. Nuk rrezikojmë jetë njerëzish, nuk rrezikojmë familjet tona, por duhet të ruajmë sa më shumë aksesin, kalueshmërinë.“
Peleshi garantoi se në momentin që flasim nuk ka rrezik jete dhe kërcënim të sigurisë së familjarëve tanë nuk ka në ansjë zonë.