Basha thirrje qeverisë të mos bëjë propagandë

Shqipëria

Basha thirrje qeverisë të mos bëjë propagandë

Më: 10 janar 2021 Në ora: 16:07
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi sot disa zona të përmbytura në Shkodër ku tha se situata mund të menaxhohej më mirë.

Basha vizitoi fillimisht zonën e Shirgjit pranë lumit Buna e më pas Obotin. I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ai takoi një grup banorësh të cilët i treguan për problemet që po hasin ditët e fundit për pak të reshjeve të shumta.

Kryetari i PD-së tha se “nuk është koha për politikë”, por që sipas tij, “nuk mund të mohet se gjendja mund të jetë më e mirë-menaxhuar”.

“Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me [Voltana] Ademin dhe me përfaqësuesit tanë në zona të goditura rëndë. Duhen marrë masa urgjente,” – u shpreh ndër të tjera Basha teksa premtoi mbështetje për banorët.

Në fjalën e tij kryetari i PD-së kërkoi nga qeveria të lërë mënjanë propagandën dhe të ndihmojë realisht qytetarët.

“Banorët po pësojnë goditje pas goditjesh. Mund dhe duhet të bëhet sa më shumë për të mbajtur nën kontroll situatën [...] Detyra kryesore e qeverisë është të bëjë gjithçka për të mirë-menaxhuar situatën.  Një mirë-menaxhim i mirë mund të kufizojë dëmet dhe mund të kishte parandaluar deri më tani. Situata po precipiton me shpejtësi,” – tha më tej Basha.

Banorët u ankuan për mungesë të dëmshpërblimeve nga përmbytjet e shkuara dhe u shprehën skeptik për mbështetje të mundshme nga qeveria.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se shtimi i sasisë së derdhjeve nga dy hidrocentralet e kaskadës së Drinit ka dyfishuar prurjet në zonat e përmbytura.

Paralelisht gjatë së dielës, kryeministri Rama ishte në Lezhë ku vizitoi disa nga zonat e prekura atje nga rrëshqijtet e dherave. Rama tha se reshjet e ditëve të fundit kanë qenë në  sasi “dy here më shumë” se reshjet që shkaktuan përmbytjet e mëdha të vitit 2010.

Kreyministri tha se janë marrë të gjitha masat dhe se të gjitha sipërmarrjet janë mbrojtur. Sipas tij “numrat janë më pak se në vitin 2010 ku u mbushën konviktet e palestrat me njerëz e ngordhën mijëra bagëti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat