Gazetari Ardit Hoxha sqaroi në Euronews Albania mënyrën sesi mund të votojnë emigrantët në zgjedhjet e 25 prillit.
Ai theksoi fillimisht se aktualisht në KQZ është një draft, që po diskutohet nga grupet e punës.
“Duhet të sqarojmë që kemi të bëjmë me një draft paraprak që është duke u konsultuar në grupet e punës në KQZ. Pasi të dakordësohet do të kalohet në Komisionin Rregullator në KQZ dhe do të votohet në këtë komision dhe më pas përgatitja për ta vënë në zbatim”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit në këtë draft jepen dy variante. Zoti Hoxha shpjegoi se varianti i parë është se qytetarët me dokumente shqiptare dhe me dokumente të rregullta në shtetet ku jetojnë, duhet të regjistrohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile
“Mënyra e votimit të emigrantëve deri në këtë momente nga ky projektvendim, parashikohen dy variante. Varianti i parë, për të gjithë shtetasit shqiptarë të pajisur me dokumente shqiptare dhe me dokumente të rregullta në shtetet ku jetojnë. Ata të bëjnë regjistrimin në drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, duke dhënë të dhënat tona”, tha ai.
Ndërsa varianti i dytë është nëpërmjet aplikacionit ‘Face ID’.
“Varianti i dytë, i cili është parashikuar si një mundësi shtesë, për të mos pasur manipulime, është metodë që e ofron teknologjia nëpërmjet ‘Face ID’. Në momentin që emigranti shqiptar bën këtë regjistrimin, përmes një aplikacioni bën një kontroll, përmes fytyrës. Është një kontroll i dyfishtë, që të evitojë çdo mundësi për manipulime. Pra, do të vërtetohet që është vërtet personi që është në kartën e ID dhe në foton që do të bëjë këtë Face ID”, tha gazetari.