“Rama dhe ministrat e tij kanë trefishuar pasuritë e tyre”.
Kështu shkruan në një reagim të tijin në Facebook kryetari i PD Lulzim Basha, i cili i referohet një shkrimi investigativ të Birn.
Sipas liderit të opozitës, Rama dhe qeveria e tij kujdesen vetëm për vete, ndaj dhe shton se, Shqipëria ka nevojë për një qeveri që mendon për qytetarët.
Lulzim Basha: Ndërsa ekonomia po rrënohet çdo ditë, papunësia rritet dhe varfëria është ulur këmbëkryq në familjet e shqiptarëve, Rama dhe ministrat e tij kanë trefishuar pasuritë e tyre. Rama dhe qeveria e tij kujdesen vetëm per vete. Mjaft është mjaft! Është koha për ndryshim, është koha për një qeveri që kujdeset për qytetarët, dhe jo për veten.
Përmes një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN mori nga ILDKPKI kopje të 279 deklaratave periodike vjetore të bëra gjatë viteve 2013-2018 nga ministrat dhe kryeministri Edi Rama. Pjesë e analizës u bënë 16 anëtarët të kabinetit qeveritar në vitet 2018-2019 dhe 11 ish-ministra.
Duke përjashtuar vitin e parë të deklarimit për secilin prej tyre, 252 deklarata iu nënshtruan metodës së kontrollit aritmetik-logjik. Analiza e të dhënave tregon se 39 nga 252 deklaratat e plotësuara nga ministrat dhe kryeministri përgjatë viteve 2013-2018 dështuan të kalojnë kontrollin aritmetik dhe logjik. Deklaratat me probleme zënë 15.5 % të totalit të analizuar.
Pasuria e pajustifikuar, sipas kontrollit aritmetik-logjik të deklaratave të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI kap vlerën e 398.8 milionë lekëve ose 83% të aseteve totale neto të kabinetit.
Nga numri i përgjithshëm i ministrave dhe ish-ministrave që iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, 18 prej tyre rezultuan me pasuri të pajustifikuar në të paktën një vit të deklarimit të pasurive, ndërsa 9 anëtarë të kabinetit qeveritar rezultuan pa probleme.
Nga 18 ministrat që rezultuan me deklarata me probleme, gjashtë kanë 1 deklaratë me pasuri të pajustifikuar, nëntë kanë 2-3 deklarata dhe tre kanë 4-5 deklarata me probleme.
Të dhënat e deklaratave të pasurisë të analizuara nga BIRN tregojnë se përpara marrjes së funksionit, pasuria totale bruto familjare e 27 anëtarëve të kabinetit qeveritar ishte 563.1 milionë lekë.
Deri në vitin 2018, kjo pasuri u rrit me 2.65 herë duke kapur një vlerë prej 1.49 miliardë lekë, për një shtesë totale prej 928.4 milionë lekë ose shtesë mesatare për anëtar prej 34 milionë lekësh.
Vlerën më të madhe në asetet e anëtarëve të kabinetit të qeverisë ‘Rama’ e zënë pasuritë e paluajtshme në shifrën e 745.4 milionë lekëve ose 50% të totalit, të ndjekura nga likujditetet bankare me vlerë 520 milionë lekë ose 34.9 % të totalit.
Zërat e tjerë si automjete, para cash, huadhënia apo pjesë në kapital/aksione zënë në total rreth 15% të aseteve. Nga viti 2013 deri në viti 2018, kategoria e aseteve që ka regjistruar normën me të lartë të rritjes është huadhënia, e cila u 80-fishua nga 300 mijë lekë në 24 milionë lekë.
Rreth 26% e pasurisë së deklaruar ka si burim krijimi detyrimet financiare në një vlerë totale prej 392.8 milionë lekësh. Nga kjo shumë, 63.7% janë kredi bankare, 25.9% ose 101.8 milionë lekë janë detyrime ndaj kompanive të ndërtimit dhe 9.3% ose 36.6 milionë lekë janë huamarrje.