Në një intervistë për Euronews Albania, Iria Preza, specialiste e programit kombëtar të vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, tregoi se për ditën e parë të vaksinimit janë në dispozicion rreth 1000 doza.
Personeli shëndetësor i linjës së emergjencës do të paraqitet i grupuar pranë stadiumit “Air Albania” ku dhe do të kryhet vaksinimi.
Preza sqaroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për dozën e dytë të vaksinimit të gjithë personave që do të vaksinohen ditën e sotme.
“Do të presim 10 mijë doza në janar, 30 mijë doza në shkurt e kështu me radhë,” – tha Iria Preza.
Të gjithë ata që vaksinohen në 11 janar do të paraqiten pas 21 ditësh për të marrë dozën e dytë, në mënyrë që të krijohet mbrojtja maksimale e organizmit për luftën ndaj virusit.
Në “Air Albania” janë krijuar 60 pozicione të përshtatshme ku do bëhet vaksinimi, ku secili stacion pune do të ketë dy persona si personel shëndetësor, një infermier dhe një vaksinator duke mos lënë pas dhe mjekët e konsultës që do të gjenden aty për kryerjen e konsultave.
“Trajnimet për personelin e vaksinimit janë zhvilluar online para se të hapej procesi,” – sqaroi Preza.
Ajo siguroi gjithashtu se vaksina aktualisht ruhet në kushtet e duhura frigoriferike, në -70 gradë dhe këta frigoriferë janë vetëm qendror ndërkohë që pasi del vaksina shkrin në frigoriferë me temperature deri në +8 gradë, të cilët gjenden në çdo qendër kujdesi.
Kur vaksina del dhe bëhet gati për aplikim bëhet dhe procesi i hollimit në tavolinat e punës, pra, siç sqaroi dhe Preza, ajo është në temperatura ambienti në momentin kur individi vaksinohet.
Sipas saj e gjithë procedura është e sigurt. Fillimisht personi që do të vaksinohet plotëson një formular, më pas bën konsultën paraprake dhe qëndron në qendrën e vaksinimit deri në 30 minuta pas vaksinimit në mënyrë që të kontrollohet që gjithçka ka shkuar mirë.
“Përveç kiteve të ndihmës së shpejtë ne kemi dhe urgjencën qendrore,” – theksoi specialistja e programit kombëtar të vaksinimit duke shtuar se nëse do të ketë nevojë për transport, të gatshme do të gjenden dhe ambulancat.
Iria Preza tregoi se do të ketë koordinues të cilët do të ndihmojnë të gjithë individët që do të paraqiten në qendrat e vaksinimit dhe solli në vëmendje se pas Tiranës, ky proces do të shpërndahet në Vlorë, Shkodër e më tej.