Shqipëria prej ditësh është përballur me përmbytje për shkak të reshjeve intensive, ku zona më problematike ka qenë ajo e NënShkodrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha për Euronews Albania se gjendja në zonat e përmbytura po shkon drejt normalitetit.
“Mund të konfirmoj se situata lidhur me përmbytjet është drejt përmirësimit të plotë. Uji në zonat më të përmbytura është duke u tërhequr ende, sepse kuptohet se efekti i lumenjve do kohën e vet, pasi tashmë kanë pushuar reshjet deri diku në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Shqipërisë së mesme. Ka reshje të nivelit ë ulët, por gjithsesi ajo që vlen të theksohet është fakti se pritshmëria për motin është pozitivw tha ai.
Inxhinieri Kristi Goga u shpreh kritik për cilësinë e ndërtimit të rrugëve, ndërkohë shtoi se ndryshe nga vitet e kaluara, situata në kaskadën e Drinit është menaxhuar mirë.
“ Për kaskadën e Drinit, veçanërisht sivjet është menaxhuar mirë. Reshjet e shiut do vijojnë, por ne nuk i kemi në dorë, por ne kemi në dorë infrastrukturën. Ka kaluar një kohë shumë e gjatë, që janë marrë masa të pakta”, tha ai.
Gjithashtu z. Çako shtoi se trupat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët, nëse do kenë nevojë apo jo për evakuim.
“Unë mund të them se informacionet që ne disponojmë mund të them se e gjithë infrastruktura është në gatishmëri të plotë. Sot në të gjitha prefekturat ku ka pasur problem janë dërguar rezerva ushqimore. Nuk ka asnjë individ që është në nevojë për t’u evakuuar. Trupat e emergjencave civile janë në gatishmëri”, shtoi Çako.