Manastirliu tregon arsyen pse mbahet ‘sekret’

Shqipëria

Manastirliu tregon arsyen pse mbahet ‘sekret’

Më: 11 janar 2021 Në ora: 22:01
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk ka pranuar që të tregojë emrin e vendit që i ka dhuruar Shqipërisë, dozat e para të vaksinës anti-COVID. E ftuar në emisionin “Open”. Manastirliu ka bërë me dije se emri është kërkuar që të mos bëhet publik, nga vetë vendi dhurues.

Ndërkohë që shton se një arsye mund të jetë fakti që vende të tjera i donin dozat, ndërsa vendi i kishte ‘ndarë’ për Shqipërinë.

-Pse nuk e keni bërë publike nga erdhën vaksinat?

Manastirliu: Absolutisht ne kemi ruajtur një marrëveshje konfidencialiteti që kemi bërë me vendin mik të BE që na i ka dhuruar vaksinat e para dhe Rama e shpjegoi qartë në konferencë arsyen pse nuk është bërë i ditur emri i vendit mik. Vaksinat janë të vendosura në frigoriferët -70 gradë në ISHP. Ekziston gjithashtu dhe depo e barnave në QSUT.

–Sa doza mund të mbajmë ne në këtë temperaturë të ftohtë?

Manastirliu: Me kapacitetet aktuale, në -70 gradë ne jemi në gjendje të kemi një kapacitet deri në 250 mijë doza, jemi duke punuar më shumë për të rritur këtë kapacitet. Ne jemi vend që kemi ecur shpejt me marrëveshjen me Pfizer. Ka ende shtete europiane që nuk i kanë arritur marrëveshjet për vaksinat.

–Si po ecën marrëveshja me Pfizer?

Manastirliu: Ne jemi duke punuar me të gjitha kompanitë për vaksinat, nuk kemi përjashtuar asnjë vaksinë. Marrëveshja e parë është bërë me Pfizer. Javën e tretë të këtij muaji do marrim 5000 mijë doza dhe mbi 10 mijë doza në fund të muajit. Më pas në shkurt do marrim 30.250 doza dhe më pas më shumë sipas kalendarit. 500 mijë në total. Për Covax-in ka shpresë, është duke negociuar për Pfizer dhe Astra/Zeneca dhe shumë shpejt do të kemi dhe një lajm.

–Pas mjekëve dhe infermierëve kush është kategoria e dytë që do të vaksinohet, policët, mësuesit apo personat mbi 75 vjeç?

Manastirliu: Kategoria e dytë do të jenë personat mbi 75 vjeç. Do të ketë një kombinim vaksinimi. Do të jetë moshat mbi 75 vjeç, sidomos ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve. Në të gjithë botën mbetet problematikë përhapja e virusit në shtëpitë e të moshuarve. Moshat nën 16 vjeç nuk do e bëjnë vaksinën. Fasha e parë e vaksinimit që i duhet Shqipërisë është 20% e popullatës, pra 600.000 persona, ose 1.2 milionë doza.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat