Njëmbëdhjetë janari është datë e shënuar për vendin, me injektimin e dozave të para të vaksinave antiCovid, të destinuara për bluzat e bardha në ballë të “luftës” me virusin, një prej të cilave shkoi për shefin e qeverisë.
Rreth një mijë dozat e ardhura në mënyrë të beftë dhe në fshehtësi janë dhuratë e një prej vendeve të Bashkimit Europian, të cilin Kryeministri nuk dëshiroi ta zbulojë me dëshirën e “vendit mik”. Në listën prioritare për t’u vaksinuar, Rama u vetofrua duke e argumentuar hyrjen pa radhë si një rrugë të ndjekur nga zyrtarë të tjerë në botë për të shuar teoritë konspiracioniste. Kryeministri nuk kurseu zemërimin me politikën që ndoqi Bashkimi Europian me vendet e Ballkanit për sigurimin e vaksinës. Në konferencën hapëse të fushatës së vaksinimit, përveç origjinës, Rama refuzoi të bëjë publike edhe faturën financiare që duhet të paguajë vendi ynë për dozat e porositura, as një datë të saktë për ardhjen e tyre, por nga ana tjetër zotohet se brenda 2-3 muajsh Shqipëria do të ketë vaksina mjaftueshëm për të gjithë.
PËRSE PA RADHË
“Vaksinimin do ta bëjnë ata që janë në vijën e parë. Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurt, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe dokrrat me çipat e me manipulime të gjeneve e me transformime të ilirëve në vikingë apo aziatikë, janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegë të mi, do ta bëj dhe unë. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, janë si gjithë të tjerët dhe nuk kanë nevojë të hyjnë dhe të marrin përpara ditës që u takon, atë që u takon mjekëve, infermierëve, mësuesve, punonjësve të Policisë dhe më të moshuarve. Nuk mund ta bëjë ministrja e Shëndetësisë përpara së ëmës apo cilido qoftë. As unë normalisht nuk do duhej, por, meqë kemi në këtë vend një grup konspiracioni dhe një pjesë të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale, do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mi që drejtojnë vendet e tjera. Do ta bëj vetëm për këtë arsye. Nuk do dëshiroja t’i zija radhën askujt”
ENIGMA E ORIGJINËS
“Vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Në një ditë të caktuar më tutje, shpresoj të kem mundësinë ta them dhe ta falënderoj atë vend përpara të gjithë shqiptarëve, por ka kërkuar konfidencialitet për arsyet e veta dhe këtë gjë e kërkojnë të gjitha vendet. Edhe 3 vendet e tjera, me të cilat ne jemi shumë afër, kanë kërkuar konfidencialitet. Për një arsye shumë të thjeshtë; sepse, nëse një vend sot e bën këtë për Shqipërinë, nuk dëshiron që 3, 4, 5, 10 apo 12 vende të tjera t’i thonë bëje edhe për ne. Pse e bën për Shqipërinë? Nuk më takon mua t’jua shpjegoj, por një nga arsyet është sepse keni Edi Ramën Kryeministër, për shembull. Nëse do të qëndronim në pritje të COVAX, do ishim akoma duke pritur dhe nuk dihet ende sot sesa do të zgjaste kjo pritje. Për këtë arsye, ne jemi angazhuar qysh në krye të herës, intensivisht, me kanale të tjera, siç bëjnë edhe vende të tjera. Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejt, në Nju Jork, ‘Pfizer’, dhe të hapim me ta një kanal negociatash intensive, të vështira, për shkak të pamundësive objektive. Njëkohësisht, kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende. Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Europian, të cilin nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë. Meqë është thënë krejt gabimisht se ky vend është Greqia, mund t’ju them që jo, nuk është Greqia”.
SULMI PËR BE-NË
“Nëse do të shikoni sesi BEja e ka konceptuar këtë proces, në momentin kur ka vendosur të mendojë vetëm për veten e vet, është lënë në diskrecionin e vendeve anëtare që të ndërtojë në rrugë bilaterale me vendet joanëtare, procese ndërveprimi për vaksinën, të cilat janë të llojeve të ndryshme. Vendet kanë rendur të bëjnë çka munden me parimin secili për vete, Zoti për të gjithë. Këtë ka bërë Bashkimi Europian, për fat të keq. E kam thënë që ditën e parë që është jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por edhe e pajustifikueshme logjikisht për një arsye shumë të thjeshtë; sepse Bashkimit Europian nuk i kushtonte asgjë që, ndërkohë që X vend merr X doza dhe i mban aty sepse nuk mund të bëjë vaksinimin me shpejtësinë që të ezaurojë të gjithë dozat që ka, fare mirë mund të linte një pjesë, sado të vogël, për vendet e rajonit dhe të thoshte se nga të gjitha këto, 6 vende të rajonit do marrin dozat për mjekët e Infektivit. Qoftë dhe vetëm për mjekët e Infektivit”.
VAKSINA PËR KOSOVËN
“Nuk e kam harruar atë që kam thënë, menjëherë dhe pavarësisht faktit që dozat e kësaj jave janë të pakta, në kuptimin në raport me nevojat e përgjithshme, por nevojat e përgjithshme i kemi të siguruara sipas afateve dhe sipas planit të vaksinimit, do të japim një kontribut për Infektivin e Prishtinës. Ministrja është në kontakt me homologun. Është shumë e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës të ketë gati pjesën mbështetëse, pra, zinxhirin ftohës dhe konservimin në temperaturën e duhur të vaksinës ‘Pfizer’. Ne nuk ia zgjidhim dot hallin, por që t’ia qajmë, jemi jo të detyruar, por jemi shumë të natyrshëm të prirur ta bëjmë këtë gjë. Në ditët në vijim, numri do të vijë duke u shtuar e do të vijmë edhe ne në kushtet kur do të kemi më shumë vaksina sesa kapacitetet vaksinues në ditë. Për këtë arsye, nëse Kosova është gati, në fillim të javës së ardhshme, me këtë pjesën tjetër, ne menjëherë një pjesë do t’ia japim Kosovës për Spitalin Infektiv të Prishtinës”.
PAS VAKSINIMIT
“Është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe, nga barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë dhe për të mundësuar që, pavarësisht se Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte në sa më pak diferencë kohe nga ata, të cilët kanë dhe gurin dhe arrën në dorë dhe i marrin vendimet dhe bëjnë dhe furnizimet. Faktikisht, ky spostim pak fare javor në kohë është vërtet një lehtësim shumë i madh për muaj. Tani, shqiptarët mund të presin pa ankthin ‘a do vijë, a s’do vijë vaksina’, ‘do vaksinohen, a s’do vaksinohen’. Sigurisht, vaksina nuk është e detyrueshme, por është shumë e këshillueshme dhe duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimeve që i furnizojnë me teori konspiracioni”.