Me vendim të GJKKO është liruar Klaudjo Zhilla, i cili ishte një prej të arrestuarve për skemen e korrupsionit, ku u përfshi edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka.
Për Zhillën u ndryshua masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Dyshohet se Zhilla ishte biznesmeni që ndërmjetësoi ryshfetin mes palëve, që Margjeka të zbuste masën e arrestit për Orion Balin, i arrestuar më parë për trafik qeniesh njerëzore.
Po në këtë skemë të përfshirë ishin dhe bashkëshorti i Margjekës, Arben Cara si dhe Nejton Bali apo avokati Skender Demiraj.
Dosja per te arrestuarit
Shtetasi Skënder Demiraj, mbrojtës i të hetuarit Bali, i ka siguruar familjarët, konkretisht vëllanë e të hetuarit, shtetasit Nejton Bali, mundësinë e ndërhyrjes te funksionarë të sistemit ndaj shtetasit Orion Bali, por kundrejt një shpërblimi monetar për gjyqtarët në shumën prej 6 mijë eurosh.
Shtetasi Nejton Bali, pasi ka siguruar shumën monetare të kërkuar, ia ka dhënë ato shtetasit Skënder Demiraj. Ky i fundit, nga ana tjetër, ka vendosur komunikime me disa shtetas nga qyteti i Korçës dhe nga shtetasi Klaudjo Zhilla i ka siguruar mundësinë e ndërhyrjes te gjyqtarët Olsi Xhavella dhe Mimoza Margjeka, për shkak të njohjeve personale që kishte me shtetasin Olsi Xhavella dhe me bashkëshortin e gjyqtares Mimoza Margjeka, shtetasin Arben Cara.
Shtetasi Klaudjo Zhilla ka vijuar përmbushjen e premtimit të tij, duke komunikuar dhe takuar vetë shtetasin Arben Cara dhe më pas duke ndërmjetësuar dhe mundësuar takimin e tij me shtetasin Skënder Demiraj.
Shtetasi Skënder Demiraj i ka dhënë shtetasit Arben Cara shumën prej 6 mijë eurosh, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit të “Arrestit në burg” ndaj shtetasit Orion Bali.
Shtetasi Nejton Bali, vëllai i Orionit, pas komunikimeve me avokatin Skënder Demiraj ka njoftuar duke siguruar të ëmën se shuma monetare u është dhënë gjyqtarëve dhe masa e sigurimit ndaj Orionit do të ndryshohej nga “Arrest në burg” në “Garanci pasurore”, premtim që është bërë real me vendimin nr. 110, datë 29/07/2020, të Gjykatës së Apelit Korçë.