Respektimi i kuotave gjinore dhe gjuha në fushatë, Celibashi takim me Gajdan

Shqipëria

Respektimi i kuotave gjinore dhe gjuha në fushatë, Celibashi takim me Gajdan

Më: 12 janar 2021 Në ora: 15:11
Foto nga takimi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti në takim Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi në lidhje me fushat e përbashkëta për të dy institucionet, njohja me punën e bërë deri tani nga KQZ lidhur me implementimin e teknologjisë në zgjedhje, me votimin nga jashtë të shqiptarëve që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si edhe hapat konkretë që KQZ do të ndërmarrë për të lehtësuar aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara në procesin zgjedhor dhe ditën e votimit.

Gjithashtu, në takim u diskutua respektimi i kuotës gjinore dhe parandalimi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga aktorët politikë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021.

Komisioneri Celibashi pasi e njohu Gajda me ecurinë e procesit të implementimit të teknologjisë në zgjedhje dhe votimin nga jashtë të shtetasve shqiptarë, garantoi se për Personat me Aftësi të Kufizuara ashtu si në zgjedhjet e shkuara, KQZ në fushatën e saj edukuese do të përfshijë gjuhën e shenjave për zgjedhësit që nuk dëgjojnë, ndërsa qendrat e votimit do të pajisen me shabllonë me alfabetin ‘Braille’ për zgjedhësit që nuk shikojnë.

Të dyja palët dakordësuan miratimin e përbashkët dhe publikimin e një rekomandimi për të parandaluar përdorimin e gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore si edhe një akt të përbashkët për respektimin e kuotës gjinore.

Administrata e KQZ-së dhe e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të bashkërendojnë punën për formalizimin e kësaj iniciative të përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat