Erion Isufi, kunati i kreut të Partisë Demokratke Lulzim Basha, ka paditur ditën e sotme për shpifje kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Padia e tij është depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin dhe Organizuar.
Në padinë e tij, një kopje të të cilës e ka siguruar Lapsi.al, Isufi ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të shpallë fajtor Veliajn për akuzat që ky i fundit se pala paditëse zotëronte katër vila dhe i kishte përfituar ato gjatë përiudhës së pandemisë, duke fshehur qëllimisht të vërtetën rreth kësaj çështjeje.
Motivi që Isufi pretendon se e ka shtyrë Veliajn, si drejtues i fushatës së PS-së në Tiranë, të hedhë akuza të tilla me qëllim që të dëmtojë perceptimin e publikut për viktimën e akuzave si familjar i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Veliaj i ka përsëritur disa herë akuza të tilla ndaj Isufit. Kryebashkiaku i Tiranës e sulmoi Erion Isufin edhe një ditë më parë gjatë një takimi me banorë të Laprakës. Erion Veliaj, tha se nga njëra anë Lulzim Basha flet për varfërinë, e nga ana tjetër aplikon në bashki për të marrë leje për të ndërtuar një vilë tjetër.
“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, tha Veliaj.
Nëse Erion Veliaj shpallet fajtor nga Gjykata e Posaçme, ai mund të dënohet me gjobë nga pesëdhjetë deri në 3 milion lekë.