Ankesat e Francës, Rama përgjigjet: S’kam sulmuar asnjë aleat

Shqipëria

Ankesat e Francës, Rama përgjigjet: S’kam sulmuar asnjë aleat

Më: 17 janar 2021 Në ora: 12:59
Edi Rama

Pas ankesave për se kryeministri Edi Rama kishte sulmuar Francën gjatë mbrëmjes kur ishte i ftuar në emisionin “Open”, ai ka dhënë një koment.

Në lidhje me këtë çështje ai është pyetur nga një qytetar, ku edhe i ka dhënë përgjigjen. Rama thotë se nuk e ka sulmuar Francën dhe se ambasada gaboi sepse nxori nga konteksti çfarë tha mbi vaksinën anticovid.

Kryeministri thekson se lënia jashtë e vendeve të rajonit në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE-së, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan.

Rama e mbyll përgjigjen ndaj qytetarit me një shprehje popullore “miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti”, duke thënë se askush nuk ka pse të mërzitet.

“Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Evropian e ka ndihmuar Shqipërinë, qysh se vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për një mije e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tone në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE!

Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Evropës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçante në zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve. Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në ketë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë. Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njesoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje! Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, fare nuk dëgjoj po nuk mërzitem”, shkruan Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat