Me dhjetëra familje nga Vlora dhe qytete të tjera, janë ngjitur në Parkun Kombëtar të Llogarasë për të shijuar dëborën e parë të këtij dimri.
Ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka bërë që edhe Llogaraja të mbulohet nga dëbora. Për vlonjatët kjo është bora e parë për këtë dimër dhe me familjet apo shoqërinë ata kanë vërshuar për në Parkun Kombëtar të Llogorasë.
Fëmijët janë ata të cilët e shijojnë më shumë por edhe të rriturit këtu kthehen fëmijë, ndërsa të gjesh vendin më të bukur për të bërë një foto është një garë e vërtetë.
“Kemi ardhur me familjen, me të afërmit dhe po kalojmë shumë bukur,” – tha një vizitore.
Pavarësisht motit të ftohtë nuk kanë munguar dhe vizitorët me fëmijë të vegjël.
“Erdhëm që të kalojmë fundjavën, të prezantojmë dhe djalin me borën, është hera e parë,” – u shpreh një qytetare.
Sipas raportimeve të autoritetit rrugor, akset kanë qenë të kalueshme normalisht, ndërkohë që shërbimet e policisë rrugore janë kujdesur të porosisin drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur me zinxhirë.