Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot shqetësimit të ngritur nga sindikata e pavarur e arsimit në vend, për pagat e reja të mësuesve.
Sipas numrit 2 të SPASHit, Isa Halilaj, ka një “hile” në rritjen e proklamuar prej muajsh nga qeveria. Nga katër komponentë që përbëjnë pagën mujore të një mësuesi, është rritur vetëm njëri prej tyre, shtesa e pozicionit, e cila në total nuk e çon shtesën mbi pagë në 15%.
Por kryeministri Rama, në konferencën me gazetarët sot, ku ekonomia ishte në fokus, tha se rritja është bërë sipas funksioneve, teksa ironizoi dhe liderin e opozitës Lulzim Basha me një lapsus që ai ka bërë disa kohë më parë me llogaritë aritmetike.
“Rritja e pagës është bërë sipas funksioneve. Kjo është llogaria që duhet bërë.
Ka qenë shumë e qartë që në krye të herës, pra s’është 7 herë 7= 42 e kam fjalën”, tha Rama.