Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj force në dy qarqe, atë të Elbasanit dhe të Fierit, por nuk përjashtoi mundësinë për të qenë dhe në listat e Tiranës dhe Durrësit.
Kryemadhi tha në News24 se ky Kod ia mundëson këtë gjë.
“Do kandidoj në Fier dhe Elbasan si kryetare e LSI. Kodi i Edi Ramës e favorizoi LSI-në për të krijuar më shumë hapësirë për gratë dhe vajzat. Kërkon organizmi të përditshëm, inventarizim të Qendrave të Votimit. Ky kod favorizon jashtëzakonisht shumë të majtën e bashkuar për t’u vënë përballë Rilindjes. 25 prilli është dita për ndryshimin e madh për të cilin sot shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë. Monika Kryemadhi është çdo njeri tjetër që do jetë në listë. Nuk e kam menduar akoma për momentin, ka kohë deri atëherë dhe për Tiranën dhe Durrësin se me kodin i ri zgjedhor ia krijon shansin kryetarëve të partive që të votohen në 4 qarqe. Për t’u parë është. Interesante do të jetë shumë.
Sa i përket një koalicioni të mundshëm me PS, Kryemadhi tha se PS është e tëra në LSI. “Ne nuk bëjmë koalicion me Rilindjen, sektin që ka grabitur vlerat e socialistëve të vërtetë. LSI është parti e qendrës së majtë, ka ardhur si rezultat i arrogancës së lidershipit të atëhershëm të PS. Sekti solli taksa më të larta për të varfrit. Nuk është kjo rilindje që mund të themi që është PS”, tha Kryemadhi.