PD e LSI mbledhin firma për t’u regjistruar në KQZ/ Zbardhet porosia e selisë blu

Shqipëria

PD e LSI mbledhin firma për t’u regjistruar në KQZ/ Zbardhet porosia e selisë blu

Më: 21 janar 2021 Në ora: 15:04
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi

Partia Demokratike dhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledhin nga 7 mijë firma për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekte politike.

Kodi Zgjedhor parashikon që të drejtën për të sjellë kandidatë e kanë ato parti që kanë të paktën 1 mandat deputeti në 6 muajt e fundit. Por PD-ja dhe LSI-ja dogjën mandatet dy vite më parë dhe nuk kanë përfaqësues të tyrin në Kuvend. Po ashtu, opozita politike thotë se nuk e njeh Parlamentin aktual. Burimet i thanë gazetës se ata do të përdorin të drejtat e tjera që u lejon ligji zgjedhor, siç është mbledhja e firmave nga mbështetësit për t’u regjistruar në KQZ.

Sipas kushteve të Kodit Zgjedhor, PDja dhe LSI-ja duhet të dorëzojnë edhe një listë emërore të mbështetësve të tyre. Duke mos pasur asnjë deputet në Parlament, Kodi Zgjedhor kërkon mbështetjen nga 7 mijë qytetarë me të drejtë vote për çdo koalicion që regjistron një listë kandidatësh për zgjedhje. Konkretisht, neni 68, pika 1 e Kodit Zgjedhor, përcakton se një parti pa mandate në Kuvend duhet të dorëzojë 5 mijë firma për regjistrim, ndërsa një koalicion 7 mijë firma. Selia blu e ka kryer tashmë këtë proces.

Gazeta “Panorama.al” ka siguruar porosinë që u ka shkuar degëve të PD-së për të siguruar secila nga 200 vota.

“Brenda ditës së enjte, dt. 21.01.2021, formularët e plotësuar duhet të dorëzohen pranë zyrës së sekretariatit organizativ PDSH. Ju lutemi merrni masa për plotësimin korrekt të të dhënave së bashku me fotokopjet e kartave të identitetit”, porosia e sekretarit të përgjithshëm” – thuhet në mesazhin që u ka shkuar degëve të PDsë.

Sakaq burime nga LSI-ja konfirmuan se do të ndjekin të njëjtën procedurë, pasi nuk e njohin Parlamentin aktual dhe nuk do të pranojnë të përfaqësohen nga asnjë deputet aktual. Tashmë është vendosur që PD-ja dhe LSI-ja do të dalin me dy lista, ç’ka nënkupton që secila duhet të mbledhë firmat për listën e vet.

Partitë kanë afat të regjistrohen në KQZ deri në 15 shkurt. Ndërsa dy javë më vonë, 24 shkurt, do të duhet të regjistrohen koalicionet zgjedhore. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, partitë aleate të PD-së nëse do të shkojnë në zgjedhje me logon e selisë blu, nuk do të duhet që njësoj si PD-ja e LSI-ja të mbledhin firmat e mbështetësve për të pasur kandidatë në zgjedhje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat