Kur na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, sondazhet e shumta kanë nisur matjen e frymës së zgjedhësve përpara ndezjes së fushatës.
Rtv Ora, publikoi vetëm pak ditë më parë, sondazhin në nivel kombëtar dhe në qarqet Tiranë-Durrës.
Ish-deputeti Klevis Balliu duke komentuar rezultatet e tyre thotë se PD nuk i ka ndezur ende motorët si duhet.
Ai tha se kjo gjë mund të bëhet brenda një dite të vetme, por e rëndësishme është që janë caktuar drejtuesit në pjesën më të madhe të qarqeve.
Më tej ish-deputeti shtoi se hartimi programit politik të Partisë Demokratike do të publikohet në mënyrë graduale.
Klevis Balliu: Unë personalisht nuk jam shumë i dhënë pas sondazheve, nuk para i besoj shumë. Të paktën që nga zgjedhjet e para të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sondazhet u pa shumë qartë që nuk ishin aspak realiste. E vërteta është që sondazhin mund ta nxjerrësh si të duash, mjafton të ndryshosh pyetjet, me disa teknitalitete të vogla, mund të nxjerrësh një sondazh që fiton zonja Njuma, mund të nxjerrësh një sondazh që fiton zoti Balliu. Sondazhi më i vërtetë për mua është terreni. Në terren sot nuk shkon në asnjë lokal, pa të thënë kamerieri Rama ik. Sot nuk shkon tek berberi pa të thënë kur do të ikë ky. Kjo është e vërteta, sot në rrugët e Tiranës këdo që takon të gjithë qytetarët janë të qartë që ky person duhet të iki. A duhet opozita të bëj më shumë për të nxjerrë alternativën e vet? Patjetër. Fakti është perceptimi sot në Shqipëri, besoj këtu biem dakord të gjithë, Edi Rama po largohet, po vjen një qeveri e re, me në krye Partinë Demokratike dhe jemi në një moment ku Partia Demokratike nuk i ka ndezur motorët.
Çfarë pret Partia Demokratike për të ndezur motorët përballë një qeverisje kaq agresive?
Klevis Balliu: Çdo gjë mund të bëhet brenda ditës, sepse kemi një parti politike e cila ka një program dhe duhet ta nxjerrë avash avash atë, që të shkojë mesazhi ashtu siç duhet, aq më tepër kjo parti politike nuk është parti bandash, që ka caktuar Edi Rama 6 kryetarë të bandave të tij, për të mbrojtur votat. Kjo është një parti e cila po kalon nëpërmjet një konsultimi, në të gjithë segmentet e partisë, për të nxjerrë kryetarët e qarqeve, të cilët tanimë kanë dalë, ku asnjë parti nuk e ka nxjerrë listën e plotë dhe patjetër që ajo don kohën e vet. Nuk është një gjë e lehtë të vendosësh kandidaturat për parlament, se nuk mund të kemi më një parlament karagjozësh, ku mbajnë fjalime disa palaço që nuk përfaqësojnë asgjë në Shqipëri, përveçse kanë bërë me turp veten e tyre dhe i kanë prishur punë këtij vendi, e kanë cënuar interesat kombëtare të këtij kombi duke mbajtur në këmbë një parlament monist. Prandaj nuk është e lehtë që të thuash të vendosim sot 140 kandidatë për deputetë. Çdo gjë do të vijë në kohën e vet dhe mendoj që jemi në rrugën e duhur, kurse përsa i përket, nxjerrjen se shpesh herë dëgjoj që ka ndezur motorët Edi Rama, ai mund t’i ndezë motorët gjithë ditën por ai nuk ka naftë. Ai ka mbaruar, nuk ka alternativë. E vetmja arsye se përse Rama e dëshiron mandatin e tretë është të mbrojë perandorinë e tij financiare, të ngritur në kurriz të qytetarëve.