Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për përgjimet e publikuara nga mediat italiane, ku përmendet fakti se zyrtarë të lartë shqiptarë përfshihen në skema rryshfetesh për lejet e ndërtimit të gradacelave.
Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Veliaj, të cilin e quan shërbëtori i organizatës mafioze Ndragheta, duhet të ishte sot përpara SPAK dhe jo duke mashtruar qytetarët.
Më tej demokrati thekson se “përgjimet e Antimafias italiane provuan edhe njëherë pushtetin e kalbur, nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me mafian, të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, ndërsa shton se dita kur shqiptarët do kenë drejtësi është më afër se kurrë më parë.
Postimi i plotë
Shërbëtori i organizatës mafioze Ndragheta duhet të ishte sot përpara SPAK dhe jo duke mashtruar qytetarët! Erion Veliaj e ka shndërruar Bashkinë e Tiranës në lavatriçe të pastrimit të parave të pista të mafias.
Përgjimet e Antimafias italiane provuan edhe njeherë pushtetin e kalbur, nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me mafian, të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Ne e kemi në dorë të bëjmë drejtësi më 25 prill. Dita po vjen dhe drejtësia është më afër se kurrë më parë!