Vazhdojnë largimet nga radhët e LSI-së duke iu bashkuar Partisë Socialiste.
Pas Lefter Kokës dhe Nasip Naços, ekipit të mazhorancës për 25 prillin i është bashkuar edhe Ediola Braho.
Deputetja Ediola Braha e ka lënë LSI-në për PS-në në qytetin e Tepelenës.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi ditën e sotme përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale. Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm. Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim.” – shkruan Çuçi.
Ediola Braha ishte kandidate e LSI-së, për qarkun e Gjirokastrës dhe mori mandatin e Vangjel Tavos pas largimit të LSI-së nga Kuvendi.