Reshjet intesive të shiut kanë rikthyer përmbytjet në qarkun e Lezhës. Që prej pasdites së djeshme kemi pasur prezencë të reshjeve të dendura të shiut në të gjithë territorin e qarkut të Lezhës ku si pasojë nuk kanë munguar problematikat. Në një lidhje direkt me emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora gazetari, Elvis Hila tregoi zonat më problematike janë Zadrima, Torovica dhe zona e Gjormit.
Duke iu referuar raportimeve të bëra ditën e djeshme Hila tregoi se 205 ha tokë bujqësore janë nën ujë dhe me dhjetra familje kanë mbetur të izoluara që prej ditës së djeshme pasi niveli i ujit ka arritur 50 cm.
” Si shkak i daljes nga shtrati i kanalit të ujërave të larta janë përmbytur rrugët si dhe 10ha tokë duke bërë që dhjetra familje të jenë të izoluara që prej ditës së djeshme pasi niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm dhe është e pamundur lëvizja, fatmirësisht nuk kemi depërtim të ujit në banesa.” – raporton gazetari.
Në disa zona është kryer një ndërhyrje emergjente, por duket se pa rezultat për shkak të pranisë së ujit.
“Janë bërë disa ndërhyrje emergjente por këto ndërhyrje nuk i japin zgjidhje kësaj problematike pasi këto ndërhyrje duhet të ishin bërë në stinën e verës dhe jo tani”