Një ulli në nder të Drini Dobit, kolegët kujtojnë mjekun në 52-vjetorin e lindjes

Shqipëria

Një ulli në nder të Drini Dobit, kolegët kujtojnë mjekun në 52-vjetorin e lindjes

Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:52
Kolegët kujtojnë mjekun në 52-vjetorin e lindjes

Në 52-vjetorin e ditës së lindjes mjekët kanë kujtuar kolegun Drini Dobi, i cili humbi jetën një muaj e gjysmë më parë si pasojë e infektimit me koronavirus. Në nder të kujtimit të tij, mjekët mbollën një pemë ulliri në oborrin e spitalit, ku Drini shërbeu për shumë vite.

Ashtu si kjo pemë ulliri edhe kujtimi i mjekut Drini Dobi do të jetojë gjatë te ata që patën fatin ta njihnin.

Këtë të mërkurë ai do të festonte 52-vjetorin e lindjes, por koronavirusi e ndau nga të dashurit dhe kolegët.

Këta të fundit në nder të tij, mbollën një pemë ulliri, në oborrin e spitalit e Neurokirurgjisë në QSUT aty ku Dobi iu shërbeu pacientëve me durim dhe profesionalizëm deri në ditën e fundit.

Shefi i Neurokirurgjisë Merntor Petrela thotë se ky ulli është edhe një homazh për të gjithë ata mjekë që humbën jetën gjatë situatës së pandemisë.

“Koincidon ditëlindja e tij në një moment që ne do të donim ta kishim pranë por kjo është një luftë e përbotshme. Ky ulli është mbjell në oborrin e spitalit për të kujtuar doktor Drinin, është një inkarnacion që ndodhet në qenie të gjalla, dhe ulliri që është simbol i paqes nuk lëviz nga vendi. Është një shenjë që do të na kujtojë Drinin mes nesh.”

Drini Dobi u nda nga jeta në 9 dhjetor, në Itali pas disa ditësh përballje me virusin vdekjeprurës. Prej nisjes së pandemisë në vendin tonë kanë humbur jetën të paktën 30 mjekë dhe infermierë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat