Të tjera detaje janë publikuar nga zhdukja e biznesmenit italian, Davide Pecorelli, ku hetuesit po hetojnë edhe për pistën e vetëvrasjes. Pecorelli kishte ardhur në Shqipëri për hapur biznes, ndërsa kishte marrë edhe një makinë me qira, që u gjet e djegur në Pukë.
Sipas mediave italiane, prokuroria e Perugia hapi dosjet me hipotezën e vetëvrasjes, ndërsa një grup ekspertësh erdhën në Shqipëri, ku të shoqëruar nga Drejtori i Policisë Kriminale, shkuan në vendin ku u gjet i djegur automjeti i marrë me qira nga Pecorelli.
Po ashtu, hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë një grabitje me pasojë vdekje. Ndërkohë, ekzaminimi i telefonit të Pecorellit nuk tregoi që ai të kishte marrë mesazhe kërcënuese.
Duke iu referuar hetuesve italianë, mediat e vendit fqinj shkruajnë se hipoteza e një ngjarje aksidentale, që u ngrit fillimisht nga hetuesit tanë, duket se nuk qëndron.
Ndërkohë pritet edhe rezultati i analizave të ADN, për të vërtetuar se trupi që u gjet i djegur në automjet, i përket Pecorellit.