Ditën e sotme është zhvilluar gjyqi ndaj Ilir Xhepajt (Lika), i cili dyshohet si një prej personave që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika në Laç. Nën masa të rrepta sigurie, Lika është vendosur në bankën e të akuzuarit, duke u përballur me togat e zeza.
Gjyqtari Olti Skrama ka vendosur që gjyqi ndaj Xhepajt të shtyhet për në datën 17 shkurt, duke e lënë të riun nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërkohë që babai i tij është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Traumës. Myslim Lika u plagos një ditë më parë në qytetin e Mamurrasit, dhe ndodhet në gjendje të rëndë për shkak se një prej plumbave e ka prekur shumë pranë zemrës.
Po kush është Ilir Xhepaj (Lika) dhe roli i tij në ekzekutimin e dyfishtë?
Xhepaj dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës së veshur me uniforma policie, i cili ka pasur rolin e neutralizimit të dy djemëve të Gjergjit, Niklonin dhe Antonin, në mënyrë që të mos shkonin në ndihmë të të atit brenda në hotel. Përveç ngjarjes së Laçit, Xhepaj akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri edhe ndaj Zef Markut, të cilin e ka lënë të plagosur. Ngjarja ka ndodhur më 15 maj 2020, dhe pikërisht për të, dyshohet se ka ndodhur atentati ndaj babait të tij, 60 vjeç.