Kalemi: Fatmirësisht që vëllai i madh na tregon rregullat e lojës

Shqipëria

Kalemi: Fatmirësisht që vëllai i madh na tregon rregullat e lojës

Më: 31 janar 2021 Në ora: 07:22
Ilir Kalemi

Një ditë më parë ambasadorja amerikane përsëriti për të disatën herë me radhë apelin  drejtuar partive politike për të mos kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit kandidatë të korruptuar apo me të shkuar kriminale.

Analisti, Ilir Kalemi, i ftuar në Rtv Ora thotë se ky është një mesazh i mirëseardhur dhe një nxitje për ti dhënë fund degradimit të përfaqësimit në Kuvend.

Kalemi: Është një mesazh i mirëpritur që tregon se aleatët tanë kryestrategjikë, SHBA, gjithmonë interesohen. Fatmirësisht për ne që kemi vëllain e madh që na tregon rregullat e lojës dhe e vë gishtin pikërisht aty ku është plaga. Ajo që ka ndodhur me degradimin e demokracisë shqiptare është dhe degradimi i përfaqësimit parlamentar ku për herë të parë krimi vendosi të vishte jakat e bardha dhe të ulet në sallën e parlamentit. Shpresoj që ky të jetë fundi.

Kalemi e sheh pozitivisht programin ekonomik të PD që sipa tij në thelb ka eleminimin e burokracive.

Kalemi: PD po i kthehet një premtimit të saj të hershëm, taksa e sheshtë. Nuk kemi luksin që mos të jemi konkurues me vendet e Ballkanit. PD, LSI dhe partitë të tjera kanë hedhur taksën e sheshtë 9% si lokomotivën e premtimit të saj elektoral. Edhe pulla fiskale është një sinjal për taksidarët.

Ekonomia shqiptare ka pësuar një shok të fortë nga tërmeti dhe pandemia. Ekonomia shqiptare është në zgrip, ka humbur rreth 7.5% gjatë vitit që lamë pas, edhe ky tremujor i parë do të jetë negativ. Është rënia më dramatike pas vitit ’97. Është reflektuar dhe në humbje të vendeve të punës, mbylljen e bizneseve të vogla. Për më tepër vetëm 1.2 % të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto ka dhënë qeveria si mbështetje.

Sa i takon premtimit të demokratëve për të anuluar koncesionet dhe PPP e qeverisë Rama, ai thotë se duhen para rast pas rasti për të shmangur skenarin e kësaj qeverie me Arbitrazhet.

Kalemi: Duhet para baza ligjore që mos të shkojmë në Arbitrazhe si qeveria aktuale që kemi paguar shumë më tepër. Duhen parë rast pas rasti. Një pjesë është retorikë politike. Por shumë prej tyre koncesioneve dhe PPP janë të anulueshëm pa penalitet shtesë sepse një pjesë e tyre janë ezauruar në pjesën më të madhe dhe investitorët nuk kanë bërë investimet. Baza ligjore ekziston nëse gjërat nuk bëhen me urdhër të menjëhershëm por duke i shqyrtuar dhe çuar në gjykatë.

Kalemi komentoi edhe sondazhin e publikuar në Rtv Ora në bashkëpunim me Antonio Noton.

Kalemi: Kam parë disa sondazhe. Pamë që edhe në SHBA sondazhet gabuan jo pak katër vjet më parë dhe kësaj radhe. Në raste si Shqipëria ndikojnë shumë faktorë. Sipas sondazhit të Notos tregon se ka një baraspeshë mes dy kaheve politike gjë e cila kërkon analizë të gjatë. Duket sikur nga një anë kemi një forcë politike dhe nga ana tjetër konglomerat të opozitës por nuk është tamam kështu. Është një supermazhorancë e krijuar në mënyrë të paprecedentë për një sërë faktorësh. PS i ka gllabëruar të gjitha partitë e spektrit të majtë. Ka një epërsi më të madhe në favor të opozitës. Rezultate e ngushta gjithmonë prodhojnë një debat pas-elektoral. Shpresojmë të mos na futë në hulli të vështira duke pasur parasysh që për herë të parë votohet në prill dhe qeveria bëhet në shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat